Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka reaguar për rastin e vrasjes së 42-vjeçarit Egli Proga, në Pogradec.
Sipas tij, policia e Pogradecit ka zbardhur ngjarjen në kohë rekord, falë “veprimeve profesionale”.
“Aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja nga shefi i Komisariatit të Policisë në Pogradec është i pabazë dhe skandaloz. Në asnjë moment, në asnjë rrethanë, nga asnjë punonjës policie i Pogradecit nuk është tentuar të fshihet apo minimizohet kjo ngjarje.
Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, është njoftuar spitali, janë sekuestruar kamerat e ambienteve përreth, janë shoqëruar disa persona të pranishëm në vendin e ngjarjes. Si rezultat i veprimeve profesionale, që janë të gjitha të dokumentuara, është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes në kohë rekord.
Është arrestuar autori dhe 3 shtetas të tjerë për mokallëzim krimi.
Policia Korçë dha njoftimin e saj zyrtar që u anashkalua, u deformua dhe u mohua madje. Media iu referua vetëm burimeve jozyrtare dhe u ngritën akuza ndaj Policisë së Shtetit. Baltosja e policisë jo vetëm që është e pabazuar, por e dënueshme moralisht dhe ligjërisht”, tha Rrumbullaku.
“Policia do të ndërmarrë hapa ligjorë për të bërë transparencën mbi dezinformimin e qëllimtë mbi rolin e kësaj në këtë ngjarje”, shtoi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.