Rreth 495 mijë nxënës në të gjithë Shqipërinë nisin sot vitin e ri shkollor, kurse 33 mijë prej tyre ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Policia ka marrë një sërë masash për garantimin e sigurisë në këtë ditë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako ka lëshuar një urdhër që kërkon nga drejtuesit e drejtorive vendore të policisë, komisariateve/stacioneve të policisë, të studiojnë e vlerësojnë situatën kriminale dhe vendosin shërbimet policore për kontrollin e territorit.
Sipas zyrës për media në Policinë e Shtetit, në lidhje me kërcënimet për sulme të mundshme terroriste në vend, do të ketë prani të shtuar të prezencës policore në ambientet e shkollave në përgjithësi dhe në veçanti shkollat e huaja. Po ashtu, Policia Rrugore do të kufizojë apo ndalojë parkimet, qëndrimet dhe lëvizjet e automjeteve në segmente rrugore të caktuara pranë shkollave. Gjithashtu, do të mbyllen lokalet e tregtisë dhe pikave ambulante të shitjes që tregtojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara apo në ndonjë rast dhe lëndë narkotike pranë shkollave, të cilat jo rrallë herë, janë pika të grumbullimit të personave me precedentë kriminal.
Veritas.com.al