Largimi i Matthew Palmer dhe ardhja e Gabriel Escobar, në krye byrosë të Euroazisë në DASH, nuk ndryshon asgjë në politikat e ndjekura deri tani nga qeveria amerikane për Shqipërinë.
Kjo theksohet e nënvizohet mes rreshtave, nga një komunikim që gazetari i Top Channel Muhamed Veliu pati me Byronë e Euroazisë në Departamentin Amerikan të Shtetit, drejtuar tashmë prej Gabriel Escobar , i cili ka shërbyer si zëvendës ambasador në Beograd e më parë si konsull, i çështjeve ekonomike në Bagdad.
Një zëdhënës i DASH dha këtë përgjigje.
“Shtetet e Bashkuara janë të vendosura si asnjëherë më parë për një marrëdhënie të fortë me Shqipërinë.
Politikat tona në Shqipëri, përfshi korrupsionin dhe rastet e shpalljes të personave non grata, janë shumë të mirënjohura, dhe të artikuluara nga ambasadorja Yuri Kim sikurse edhe nga ambasadori Philip Reeker, gjatë vizitës në Qershor si asistent sekretar për Byronë Europiane dhe Euroazinë. Ne presim të avancojmë marrëdhëniet tona bilaterale me udhëheqësit shqiptarë, kur të mblidhet në ditët e ardhshme Parlamenti”.
Ky qëndrim i SHBA vjen vetëm dy ditë më pas nga deklarata në emisionin Now të Erla Mëhillit në Euronews, të shpallurit non grata Sali Berisha, i cili po bën rezistencë ndaj kërkesës së SHBA për të mos hyrë në parlament, madje u shpreh me një gjuhë kërcënuese ndaj partisë më të madhe të opozitës kur deklasoi se: “Unë të bëj çdo gjë për kthimin e PD, në vlerat mbi të cilat, ajo është themeluar”.
Prej muajit Prill 2018 në listën e zezë, për moslejimin e hyrjes në SHBA bashkë më familjet, deklaruar publikisht nga Sekretari Amerikan i Shtetit, janë ish presidenti dhe ish kryeministri Sali Berisha, ish deputeti Tom Doshi, ish kryeprokurori republikës Adriatik Llalla si edhe ish kryebashkiaku Durrësit Vangjus Dako.
Megjithatë beteja e SHBA që Sali Berisha mos ta kalojë më traun e parlamentit thotë gazetari Top Channel Muhamed Veliu , jo vetëm që është aktive por pritet të intensifikohet.
Pyetja e Top Channel dërguar DASH
Përgjigjia e DASH për Top Channel