Emisari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, kërkoi që Kosova dhe Serbia të nisin menjëherë me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.
Pavarësisht se firmë nuk pati, zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit nënvizoi se “pajtimi i arritur më 18 mars në Ohër, është marrëveshje në të gjitha aspektet dhe është ligjërisht e detyrueshme për palët”.
“Rruga europiane e tyre është jashtëzakonisht e kushtëzuar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Escobar gjatë një audiokonference.
Një porosi të veçantë pati për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke nënvizuar se është e rëndësishme që të nisë me përpilimin e versionit të tij për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Ndër të tjera, Escobar pohoi se kjo është një marrëveshje historike, ndërsa konfirmoi angazhimin e tij me partnerët europianë për zbatimin e të 11 pikave të planit të BE-së. Më herët, të njëjtin qëndrim shprehu dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.