Prokuroria e Posaçme Anti- Korrupsion ka dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë kufitare të Morinës, duke urdhëruar arrestimin e 31 personave. Ndërsa ka pezulluar tre të tjerë.
Mes tyre i arrestuar është edhe drejtori i i drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Kukës.
Të gjithë akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sakaq ata ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre ne vendet e Bashkimi Evropian, sa i përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar.
Po ashtu ata ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë masën “arrest me burg” për 17 persona, “arrest në shtëpi” për 14 dhe “pezullim nga detyra” për tre prej tyre.
Ndërkohë Policia e Shtetit ka ekzekutuar masat e sigurimit personal caktuar nga ana e gjykatës.
Hetimi erdhi pas kallëzimit penal nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, mbi dyshime për përfshirjen e disa prej punonjësve të policisë në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë në veprimtari të paligjshme për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal “Kontrabandës me mallra, për të cilat paguhet akcizë”, si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, etj.