( Flet shoferi i autobuzit mbi të cilin ra shkembi në rrugën Lezhë- Shëngjin)/

Dy vajza pasagjere në një autobus mbetën të plagosura gjatë një aksidenti sot në rrugën Lezhë – Shëngjin.

Rreth orës 06:42, tek “Knalla”, një masiv shkëmbor, është shkëputur nga mali dhe i ka rënë një autobusi. Automjeti me targa AA 971 JZ,  drejtohej nga shoferi me inicialet P.P. i cili po kalonte aty në ato momente.

Për pasojë janë dëmtuar dy vajza, K.D. 21 vjeçe banuese në Zejmen, e cila është transportuar për në Qendrën e Traumës në Tiranë, dhe B.Z. 23 vjeçe banuese në Tresh, e cila ndodhet në spitalin Rajonal Lezhë nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Shoferi i autobusit mbi të cilin ra masivi shkëmbor në rrugën Lezhë-Shëngjin ka treguar momentet e frikës kur ndodhi ngjarja.

Ai thotë se autobusi ishte me gra dhe vajza, të cilat po i transportonte në fabrikë, kur pa që në fund të autobusit kishte rënë masivi shkëmbor.

Shoferi tregon se pati panik nga punëtaret që i kishte në autobus, ndërsa thotë se pati edhe nga ato që i ra të fiktë.

“Isha me gra vajza që po i çoja në fabrikë, edhe ndalova autobusin, kur shikoj në fund një masiv shkëmbor ra sipër nga mali. U dëmtuan xhamat e autobusit, por fati i madhi zoti i ra në fund autobusit. Kishte edhe njerëz që i ra  të fiktë”.

Policia thotë se grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë vazhdojnë hetimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Ky është aksidenti i dytë në Lezhë me shembje shkëmbinjsh mbi makina. Rasti i parë ishte tragjik, ku humbën jetën të tre pasagjerët që ndodheshin në makinë, mes të cilëve edhe një grua shtatzënë. Aksidenti i rëndë ndodhi në rrugën e Torovicës.

Veritas.com.al/