Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj është takuar në selinë e Kuvendit, me drejtues të opozitës parlamentare shqiptare dhe përfaqësues të partive minoritare.
Presidenti Begaj nënvizoi se mbështet plotësisht të drejtën legjitime të Kosovës për shtrirjen e autoritetit dhe vendosjen e sundimit të ligjit në veri të vendit, në bashkëpunim me ShBA-në dhe BE-në. Sipas tij dialogu me Serbinë është e vetmja mënyrë që të bëhet e qartë se realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm.
Kreu i shtetit nënvizoi si shumë të rëndësishëm dialogun dhe qëndrimin e përbashkët mes të gjithë faktorëve politikë në Kosovë për sfidat madhore me të cilat përballet vendi. Për presidentin Begaj, bashkëpunimi ndërparlamentar dhe ndërinstitucional mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të vijohet me punë intensive dhe të matshme për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve dypalëshe si dhe shtimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, sidomos në atë ushqimore dhe energjitike.
Drejtuesit e partive opozitare vlerësuan mbështetjen e Shqipërisë në rrugëtimin e Kosovës sikundër edhe vendimin e një dite më parë për furnizimin me energji elektrike.