Rebelimi i grupit mercenar Wagner ka dridhur Moskën zyrtare. Pasi fillimisht në kryeqytetin rus u rritën masat e sigurisë, së fundmi ka qenë edhe Presidenti Vladimir Putin që ka dalë në një fjalim publik për këtë rast. Ai i është drejtuar kombit dhe e konsideroi një aventurë kriminale atë që po ndodh.

Putin tha se disa rusë “janë mashtruar në një aventurë kriminale”, por pa përmendur në mënyrë specifike luftëtarët rebelë të Wagner-it. Putin tha se e ardhmja e Rusisë është në rrezik, duke i përshkruar veprimet e kryengritësve si një “thikë pas shpine”.

Presidenti rus është kujdesur që të mos e përmendë personalisht shefin e Wagner, Yevgeny Prigozhin, por shtoi se “ambiciet” e larta të disave kanë çuar në “tradhëti të lartë”. Po ashtu ai paralajmëroi “ndëshkim të pashmangshëm” për ata që përçajnë shoqërinë ruse.

Putin theksoi se ka dhënë të gjithë urdhrat e nevojshme për t’u përballur me këtë krizë duke u zotuar se do të mbrojë Rusinë.