Pas Policisë, prokurori i SPAK dhe oficerët e BKH kanë mbërritur në Kuvend. Ata kanë nisur hetimet për kaosin dhe tymueset e grupit të Berishës gjatë seancës së sotme plenare.
Ata do të kqyrin vendin e ngjarjes pasi deputeti i opozitës, Ervin Salianji hodhi flakadanë në seancë.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj mbërriti i pari i shoqëruar me një grup policësh që hynë nga pjesa e pasme e Parlamentit.
Ende nuk dihet nëse policia do të ngrejë ndonjë akuzë për deputetët e opozitës, por efektivët po këqyrin vendin e ngjarjes.
Deputeti Salianji ndezi flakadanë në foltore teksa mazhoranca miratoi projekligjet pa debat dhe mes kaosit të krijuar nga opozita që grumbulloi karriget në mes të sallës së Kuvendit.
Disa nga flakadanët ia morën punonjësit e Gardës, ndërsa disa të tjerë i hodhi në mes të sallës.
Kujtojmë që opozita hyri më herët sot në seancë, mblodhi karriget e deputetëve të PS dhe i grumbulloi ato para foltores. Zhurma nuk u ndal asnjë sekond.