Gazetari Arsen Rusta i Report Tv ka mësuar se prokuroria ka nisur verifikimin për deklaratat e bëra për këtë çështje mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës kohët e fundit.
Gjithashtu Report Tv mëson se Prokuroria ka marrë në pyetje disa dëshmitarë të tjerë, ndërsa është vendosur riekspertimi për predhën e gjendur në trupin e të ndjerit Aleks Nika.
Ky riekspertim do të bëhet nga ekspertët italianë. Riekspertimi është vendosur me qëllim marrjen e çdo të dhëne tjetër me vlerë identifikuese, duke përdorur teknologjitë e reja laboratorike.
Ndërkohë, 1 muaj më parë kryedemokrati Lulzim Basha risolli në vëmendje këtë ngjarje duke hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj ish-kryeministrit Berisha, sa i përket masakrës së 21 janarit 2011. Teksa hoqi një paralele mes Berishës dhe skenarit të ndjekur nga Tom Doshi në 21 janar, Basha tha se ai sot nuk u përgjigj në të njëjtën mënyrë si ish-kryeministri Berisha 10 vite më parë. Në përgjigje ndaj kryedemokratit, Berisha theksoi se më 21 janar 2011 Basha nuk ishte i pranishëm dhe nuk dihej se ku ndodhej. Kreu i PD, asokohe ishte Ministër i Brendshëm.