Kryetari i Bashkisë Mallakastër Qerim Ismailaj rezulton i dënuar në mungesë në Greqi me 3 vite burg për përleshje dhe rrahje me persona të tjerë. Kjo ishte përgjigja që Prokuroria e Përgjithshme i ka kthyer KQZ në lidhje me interesimin e saj, pas denoncimit të PD se Ismailaj ka gënjyer dhe falsifikuar formularin e dekriminalizimit. Qerim Ismailaj është dënuar në Greqi nga Gjykata e Chios me 3 vite burg në mungesë për veprën penale “Konflikti dhe përleshjes”. Kjo vepër penale në Kodin tonë Penala korrespondon me veprën “dëmtime të tjera me dashje” parashikuar nga ne 90/1 e cila sanksionon vetëm dënim me gjobë, vepër që nuk e prek ligji i dekriminalizimit. Por Ismailaj ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit duke mos e shkruar këtë dënim dhe për këtë ai akuzohet për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.
“Referuar vendimit 9-11/2000 të Gjykatës së Përbërë nën Betim të Chios, i formës së prerë, rezulton se i akuzuari Qerim Ismailaj (në mungesë në gjykim), është deklarua fajtor dhe është dënuar me 3 (tre) vite burgim për veprën penale të “Konfliktit “Përleshjes”, parashikuar nga neni 313 i Kodit Penal të Republikës së Greqisë, që korrespondon veprës penale të “dëmtime të tjera me dashje” parashikuar nga ne 90/1 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, e cila si sanksion parashikon dëni vetëm me gjobë”, thuhet në përgjigjet që prokuroria e Përgjithshme i ka kthyer KQZ.
Qerim Ismailaj, i dalë kryebashkiak nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019 , u akuzua nga PD përmes Sekretarit të saj të Përgjithshëm, Gazment Bardhi se ai ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit pasi ka qenë i dënura në Greqi.Vetë Qerim Ismailaj ka deklaruar se nuk kishte dijeni lidhur me këtë dënim, pasi në të kundërt do e kishte deklaruar sepse nuk do e kishte penguar të kandidonte për kryebashkiak, pasi kjo vepër nuk e prekte ligji i dekriminalizmit.
VERITAS.COM.AL