Një person është shpallur në kërkim dhe dhjetë të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, lidhur me protestën e dhunshme ditën e djeshme pranë Bashkisë së Tiranës.
Policia ka mundur të identifikoj personin që ka hedhur mbi 5 shishe molotov dhe po punon për kapjen e tij. ABC News siguron pamjet kur personi i shpallur në kërkim ka hedhur mbi 5 shishe molotov drejt godinës së bashkisë.
Ndërkohë personat e tjerë janë proceduar për akte dhune para bashkisë, kundërshtim të punonjësit të policisë dhe prishje të qetësisë publike.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, procedoi në gjendje të lirë shtetasit:
– 27 vjeç, 19 vjeç, 46 vjeç, 21 vjeç, 68 vjeç, 48 vjeç, 53 vjeç, 34 vjeç, 22 vjeç, 39 vjeç, 34 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës”;
– 59 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.