Frrok Çupi/
Pse po vjen si një ‘lindje e vështirë’ protesta opozitare kundër qeverisë?
Ishte nisur menjëherë pas natës së Krishtit, por u kryqëzua sapo hyri Janari. Ishte nisur për në ‘Ujin e bekuar’ dhe në ‘Bafana’, por e gllabëruan shtrigat që në pagëzim… Mesi i janarit doli i tepërt, prandaj u shtynë për në zgrip të Janarit. A do të bëjë ndonjë herë opozita protestë?… Kjo është çështja.
1.
Bibla në vend të realitetit.
Dje në mesditë u mor vesh se opozita ka një pengesë shumë të madhe për protestat kundër qeverisë; dhe kjo është ‘Bibla’. Bibla, po paraqitet si një libër kolosal që zë rrugën si Breshka Gjigande në xhungël. Po cila është ‘bibla’ e re e Opozitës? Disa parti aleate me Partinë Demokratike, që kanë deleguar secila kryetarin në Kuvend nën siglën ‘PD’, kanë krijuar ‘biblën’ ndaluese për protestën. LZHK, PAA, Libra, PDK…, kanë konstatuar dje se ‘bibla e djathtë’ nuk i lejon të shkojnë në protestë bashkë me LSI (e majtë). Këtu devijohet protesta për herë të parë.
Në politikën e protestës nuk ka kurrë bibël me ‘të majtë e të djathtë’, në bekimin e protestës ka vetëm qytetari dhe të drejtë. Preteksti i opozitës së ‘djathtë’ për të mos protestuar krahas gjysmës tjetër të Opozitës (LSI) është një lëshim para qeverisë së kundërshtueshme, gjithashtu një koncesion për ‘fatin e keq’ politik. Fati ‘i keq politik’ yni është mbajtja gjallë e të majtës komuniste të të njëjtës frymë me diktaturën komuniste. Ka mijëra predikues që thonë se ‘e majta post- komuniste’ këtu është më e madhe numerikisht (!). Njerëzit humbin shpresën duke menduar se edhe me revolucionin e viteve ’90 nuk paskan bërë diçka. Por në fakt kjo del e vërtetë: Pjesa më e madhe e të ‘djathtës’ në PD ose rreth PD, është kthyer në majtiste. Vetë parulla përjashtuese ‘biblike’ në protesta, është thellësisht majtiste.
2.
‘Qeveria anti-mafia’ dhe qeveria që është…
Kryetari i PD, zoti Basha, përsëri dje solli sloganin se kërkojmë të bëjmë ‘qeverinë anti- mafie’. Qeveria ‘anti-mafie’ nuk ka nevojë për protesta popullore, as për bashkëpunim mes partive që bëjnë opozitë, as për rrëzimin e qeverisë. Madje mund të garantoj se edhe partitë me sinjale LZHK, PAA, Libra, PDK, etj., nuk do të duhet të jenë aty. Lëvizja Socialiste për Integrim është e para që do të përjashtohet. Partia Demokratike që kërkon ‘qeveri anti-mafie’ kthehet në ditët menjëherë pas 18 Majit 2017. Menjëherë pas marrëveshjes Rama- Basha, (18 Maj) sulmin kryesor kundër LSI e nisi PD. Edhe atëherë opozita kryesore u identifikua te LSI. Ndërsa partitë e vogla me iniciale të njohura, u absorbuan, ose u bënë zero…
Ja, kjo është çfarë po ndodh sot. Ideja e ‘qeverisë anti- mafie’ është ndërtuar që në natën e 18 Majit, në një nga sallat e pallatit të Kongreseve. Qeveri anti- mafie do të thotë qeveri e përbashkët mes PS dhe PD. Më thoni çfarë do të deklarohet kur PD të hyjë në qeverinë Rama, a nuk do të jetë kjo ‘anti-mafie’? Sepse një pikë nga ‘Uji i Bekuar’ PD- e pastron gjithë detin e drogës dhe të krimit. Qeveria Rama do të ngarkohet me të vetmin faj ‘droga’; por edhe kjo pastrohet me këtë rast. Populli nuk ka të drejta të tjera… Edhe kryeministri Rama, natyrshëm, do të quhet ‘kryeministër i qeverisë anti- mafie’. Zoti Rama e ka provuar alternimin e skajshëm, që në fillimet politike: Ai është kreu majtist, por deklaron se është i të djathtës së ‘studentëve të dhjetorit’. Një paralele si kjo do të bëhet edhe me qeverinë ‘anti- mafie’. Katër ose pesë partitë satelite të PD do të vërtiten nëpër zyrat e ulëta të qeverisë. LSI- caktohet në opozitë, ‘sepse kështu na duhet’…. Ja për këtë arsye ka një Bibël si një ‘Breshkë gjigande’ në autostradën e Malajzisë.
3.
A është e djathtë- e djathta ‘biblike’?
Në hartën e fundit politike të Europës, publikuar para një jave nga ‘Breitbart News’, shfaqet një blu e thellë në mbi 50 për qind të shteteve që po dëbojnë establishmentin e vjetër të elitave politike demagogjike dhe zëvendësojnë me të djathtën konsrvatorer populiste- nacionaliste. Vetëm Shqipëria ka një ngjyrë- as bardhë as blu, dmth., tregon se këtu as që duket djathizmi real i kohës . Po të ishte opozita rreth PD e ‘djathtë’, atëherë harta e studiuesve amerikan do të ishte shënuar me ngjyrë blu, ose blu të thellë.
Por jo vetëm kjo. ‘E djathta’ rreth PD në Shqipëri ka mbajtur dhe mban politika të majta; madje të majta të stilit ‘libertarian’ që Papa Farncesku i konsideroi si rrezik për ‘socializëm anarkist’. PD ka predikuar fitoren e Hillary Clinton gjatë fushatës presidenciale në Amerikë përballë Donald Trump; ka rekrutuar shoqërinë ‘Podesta’ të John Podesta- kryetar i fushatës së Clinton për zgjedhjet në Shqipëri; dhe ka angazhim total pranë Institutit Demokratik të Clinton- Ollbaright… Në numrin e paktë të deputetëve të vet, shumicën e ka nga aktivistët e Fondacionit të George Soros, plus kryetarit. Një hartë ‘djathtiste’ e stilit konservator, ruajtës i sovranitetit, i familjes dhe kombit mungon në Shqipëri. PS dhe PD janë e njëjta gjë në këtë pikë. Nëse PD do të ishte ‘djathtiste’ e ngjyrës blu, atëherë do të kishim një prezencë reale të rrymës së djathtë ‘Trump, Bexit, Vishegrad’, etj. Por fakti që e djathta është e majtë dhe e majta e majtë- nuk ka ‘arsye’ për ndryshimin qeverisë. Edhe sikur….
Prandaj edhe nuk do të ketë protesta. LSI mbetet në opozitë.
4.
Këtu ndahet bota.
Nuk është fjala për ndarje fizike, as luftë, as Jaltë…
Përplasja reale e kohës në frontin e politikës është mes liberalëve majtistë (tashmë të vënë nën siglën e Soros) dhe populistëve- nacionalistë të djathtë të ikonizuar me Brexit, Trump, Vishegrad…, dhë pas kësaj nga ndryshime të mëdha në Europë.
A mund të kemi djathtistë konservatorë në Tiranë?… Nuk ka përfaqësues; atëherë si do të kemi të deleguar? As ndryshime të qeverisjes nuk do të ketë, sepse qeveria është e majtë dhe PD në opozitë e majtë; madje të stilit ‘komunist të ri’ të Soros. Nëse ndryshohen vendet në qeverisje mes PD dhe PS, kjo bëhet jo me protesta, pro me një skemë nga ‘Soros’; ai i jep urdhrat që atje. PD shpreson të marrë pushtet nën këtë iniciativë…
Atëherë pse duhen protestat? E vetmja forcë politike që nuk është e përfshirë në skemat e Soros, është LSI. Kjo ‘le të mbetet në opozitë’,- kanë urdhëruar ata nga qendra. Radhimi i LSI në krah të Trump dhe Brexit kërkon kohë dhe disa sakrifica; aq më tepër që kjo parti ishte pjesë e qeverisë ‘Rama’. Por më shumë pse po lihet e vetme nga fronti opozitar. Ata nuk e duan ‘të majtën LSI’…
Atëherë ky vend do të mbetet dominancë e majtizmit alias Soros, që përplaset nga kështjellat e BE deri në Rusi. BE liberale majtiste po humb Europën, por po ngulet në Tiranë.