Dy persona ende të paidentifikuar kanë sulmuar postierin pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe i kanë marrë disa materiale që ai kishte tërhequr nga posta. Thuhet se ishin dokumente të klasifikuar nga hetimet e prokurorisë.

Ngjarja është shënuar sot, rreth orës 10:30 – 11:00 në lagjen numër 11 në afërsi të Postës së Durrësit.

Policia e Durrësit informon se po kryhen veprimet e duhura për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.

Por ajo që mbetet e pakorrigjueshme është se provat për disa krime që ndodheshin në postë, tani nuk mund të jenë më në duar të gjykatës.

Njoftimi i policisë:

“Më datë 08.05.2018, rreth orës 10:30- 11:00, në lagjen Nr.11, në afërsi të Postës në Durrës, shtetasi I.K., me punë korrier pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës është sulmuar nga dy persona të paidentifikuar , të cilët i kanë marrë disa materiale që i kishte tërhequr nga Posta.

Nga ana jonë po punohet intensivisht dhe po kryhen  të gjitha veprimet e duhura hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës me qëllim identifikimin e autorëve, kapjen e tyre dhe zbardhjen e plotë të rrethanave  të ngjarjes”.

Veritas.com.al/