Drejtuesi politik i qarkut Tiranë, Erion Veliaj, ka reaguar pasi Edison Memolla fitoi Bashkinë e Rrogozhinës. Sipas Veliajt, ky është një rezultat i cili i jep përgjigje të gjithëve.
Ai thekon se qytetarët e Rrogozhinës nuk e “hanë presionin” nga askush, por me votën e tyre të lirë zgjedhin njerëzit e duhur, të cilët punojnë për të mirën e komunitetit.
“Faleminderit nga zemra qytetarëve të Rrogozhinës, të majtë e të djathtë, që na dhanë një mbështetje përtej pritshmërive tona më optimiste! Mirënjohje të majtëve, por edhe shumë të djathtëve, që bënë diferencën duke braktisur politikën ‘përça e sundo’ e ‘mish për top’ kundër Perëndimit! Demokratët nuk janë armiqtë tanë, ata nuk janë Saliu, familjet e tyre nuk vrasin e vjedhin, nuk i hapin luftë qytetërimit, nuk jetojnë duke shqyer tjetrin. Demokratët janë vëllezërit tanë dhe kush shkëputet nga Saliu e salinjtë ka kryer një vepër patriotike sot duke votuar majtas! Këtë mesazh e lexuam qartë e do t’ju shërbejmë me përulësi të gjithëve! Ky është një rezultat i cili i jep përgjigje të gjithëve. Dhe i jep fund përpëlitjeve absurde nga njerëz që duan të përdorin votën për t’u mbrojtur nga zullumet që kanë kryer. Qytetarët e Rrogozhinës nuk e hanë presionin nga askush. As nga xhepat e thellë as nga gojët e thella. Qytetarët e Rrogozhinës duan njerëzit që punojnë, jo ata që përfitojnë. Ky është mesazhi, ky është mandati që na dhanë. Puna! Kësaj do i dalim për zot! Punë të mbarë Edisonit e skuadrës sonë aty! ”, shkruan Veliaj.