Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj është vënë në pranga ditën e sotme nga policia për shpërdorim detyre. Menjëherë pas arrestimit, gazeta PD e ka konsideruar këtë si ‘arrestim i kundërshtarëve të Ramës”.
Ka qenë Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka hetuar rastin, duke e akuzuar kreun e Bashkisë për tjetërsim pronash.
Siç bëhet me dije, në pranga janë vënë edhe nënkryetari i bashkisë si dhe 21 zyrtarë të tjerë të bashkisë dhe hipotekave, me të njëjtën akuzë.
Pak kohë më parë, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, bëri me dije se në Lezhë do të kishte arrestime, për abuzimet që ishin bërë me pronat.
“Dua t’ju them që jam i shqetësuar, ua thashë edhe njerëzve të Policisë për disa abuzime që janë bërë me tokat këtu, me pronën publike, me vijën bregdetare në zonën e Lezhës posaçërisht. Besoj që hetimet që janë duke u zhvilluar, janë në proces, besoj që do të jenë efecientë, do të jenë të suksesshme.
Janë hetime që po bëhen bashkë me Prokurorinë këtu dhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Dhe unë shpresoj dhe besoj fort që shkaktarët e kësaj batërdie do të vendosen përpara përgjegjësisë penale”, tha në atë kohë Xhafaj.
Frrokaj është zgjedhur kryetar i Bashkisë në Lezhë në vitin 2015, nën siglën e PD-së.
Veritas.com.al/