Frrok Çupi/
Të gjithë prisnin prezencën e Amerikës, sidomos pas 18 shkurtit kur Opozita ngriti Çadrën e Protestës “pa kufij kohe” në Bulevardin e Tiranës. Kësaj here Amerika do të ishte ndryshe; do të ishte Amerika e Donald Trump, me ardhjen e të cilit ‘ndryshoi bota’. Opozita në Shqipëri është për ndryshim. Amerika nuk u shfaq në Çadrën e Lirisë deri më sot, edhe pse qeveria shqiptare ka manifestuar ‘strange position’, kundër principit amerikan të Demokracisë në zgjedhjen e Presidentit.
Në vend të Amerikës, në Tiranë u ngul prezenca e Bashkimit Europian, që e çoi situatën në pikën ku është sot: BE ka kërcënuar Opozitën se ‘do t’i njohim zgjedhjet’ edhe pa opozitë; i ka kërkuar opozitës të kapërcejë mbi principin e demokracisë dhe të mos mbrojë zgjedhjet e lira; ka bërë sikur nuk dëgjon dhe nuk shikon drogën e prodhuar pa ‘hesap’ në Shqipëri dhe që trafikohet edhe në vendet europiane; nuk ka ‘gajle’ se administrata dhe parlamenti janë të inkriminuar; edhe pse vetë Parlamenti thotë ‘po, jam’……
BEi ka dhënë dritë jeshile një kaosi politik e kushtetues në Shqipëri. Dje u fundosën edhe vetë propozimet e BE në tryezën e dialogut mes qeverisë dhe Opozitës. Qeveria, tashmë që i ka hyrë në zemër dhe në portofola nëpunësve dhe politikanëve të Bashkimit Europian, mund t’ia ndërrojë fjalën sa herë të dojë. Cili është padroni e cili vasali?!…
Nuk dihet ku po shkon situata e Shqipërisë. Qeveria i ka thënë opozitës ultimatume për ’48 orë’ dhe opozita duhet të shkojë: o në planet tjetër, o në rrugë. Në qoftë se opozita del në rrugë, edhe sikur europianët t’i njohin zgjedhjet farsë, këtu nuk do të ketë qetësi, stabilitet, ekonomi, turizëm, kulturë dhe shtet.
Atëherë, ku jemi?… Bashkimi Europian e ka hedhur poshtë misionin për demokraci dhe qytetërim dhe ka ardhur deri në këtë pikë, ose vetë e solli, me një plan, punën në këtë pikë. Pritet Amerika, por Amerika nuk shfaqet këtu.
Në traditën e mençurisë popullore shqiptare, në veri të vendit, thuhet një fjalë e urtë: ‘Shkëmbin që rrokulliset nga mali nuk mund ta punosh në fluturim… Prit sa të bjerë e pastaj e ke në dorë”. Shtetet e Bashkuara të Amerikës bënë të njëjtën gjë me BE në Tiranë. E la BE-në të bënte ‘rrokullisjen’ në Tiranë; dhe kjo periudhë u duk si ‘dështim’ i Shteteve të Bashkuara.
Bashkimi Europian, i zhytur në krizën më të rëndë të 60 vjetëve, ndodhet në prag të shpërbërjes. Në këto momente ka rritur sa arrogancën, aq edhe shantazhin. Arroganca brenda bllokut dhe sidomos ndaj kombeve aspirante si Shqipëria; por shantazhi ndaj Shteteve të Bashkuara janë kthyer në tipar. BE ka mundur të akuzojë Amerikën për fenomenin ‘Brexit’, ‘Le Pen’ në Francë, ‘Frexit’ që po bëhet gati në Paris, Finxit që po përgatitet në Finlandë, etj. Dështimin e vet ua ka ngarkuar të tjerëve. Presidenti i KiE, Junker ka kërcënuar presidentin Trump se ‘do të të shkëpus Ohio’ prej trupit të Amerikës. Ndaj Britanisë ‘rebele, cakton gjoba 100 miliardësh si të ishte në lojën e ‘kapuçonëve’. BE ka shkelur edhe mbi ‘kristianizmin’ prej të cilit u ngrit; më i dobëti është më ngrënshmi për nëpunësit që shumica vijnë nga organizatat komuniste. Armiqtë më të mëdhenj brenda bllokut janë shpallur gratë, zonja Thereza May, zonja Le Pen, zonja Beata Szydlo e Polonisë dhe Merkel e Gjermanisë. Junker e ka akuzuar sot britaniken May si ‘grua e vrazhdë’.
Marrëzia e BE nuk mund të mos shfaqej egër në Tiranë… Atëherë ç’vend kishte për Shtetet e Bashkuara deri tani? Ky është ‘dështimi’ që thamë.
BE ka ngulur thonjtë në vende me demokraci të dyshimtë si Shqipëria; BE i do këto treva për vete ku të kultivojë qeveritë globaliste, pa produkt, me premtime boshe, me korrupsion, pa demokraci, demagoge dhe arrogante me popullin. BE po zhvendoset nga zemra e kontinentit, në periferitë e prapambetura. Libertanët e Europës po ngrenë në këto vende libertianizmin, që nuk është gjë tjetër veçse një ‘socializëm anarkik’. Protestat kundër krimit e drogës, për zgjedhje të lira dhe për demokraci- këto janë armiku kryesor i BE të tanishëm.
Amerika po vështron nga larg, për të mos ‘dështuar’ nga afër.
/Veritas.com.al/