KQZ do të vlerësojë legjitimitetin e personit nga Partia Demokratike që do të sjellë dokumentacionin e duhur kur vjen puna te propozimet e anëtarëve të KZAZ-ve për zgjedhjet e 14 majit.

Ky ishte qëndrimi i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi kur u pyet nga gazetarët se cilën nga palët e PD-së do të njohë KQZ-ja.

I pyetur specifikisht se cilat janë dokumentet që vërtetojnë legjitimitetin e përfaqësuesve të PD-së, kryekomisioneri sqaroi se do të vlerësohet legjitimiteti i atyre personave që sjellin dokumente që vërtetojnë tagrin për të propozuar anëtarë në KQZ. Po ashtu Celibashi shtoi se KQZ, dokumentacionin e merr nga Gjykata e Tiranës.

Gjatë prononcimit për mediat, kryekomisioneri u pyet nga gazetarët se cilët janë përfaqësuesit e Partisë Demokratike të cilët KQZ njeh aktualisht. Ai bëri të ditur se aktualisht PD-ja përfaqësohet nga Marash Logu dhe Indrit Sefa.

 Megjithatë, Ilirjan Celibashi shtoi se nuk mungojnë as komunikimet me karakter profesional edhe me Ivi Kason.

Kreu i KQZ-së theksoi se institucioni që ai drejton nuk vendos se cili është organi apo personi që udhëheq një parti politike.

 Ndërkohë, në një short të hedhur gjatë ditës së sotme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, u vendos që Partia Socialiste do të zgjedhë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve me numër çift, ndërsa në ato me numër tek, do të zgjidhet nga Partia Demokratike.

Anëtarët e KZAZ-ve që do të propozohen sipas rezultateve që partitë politike siguruan në zgjedhjet e fundit. Më konkretisht: 2 anëtarë PS, 2 PD, 1 PSD-ja e Tom Doshit dhe 1 anëtar nga Partia e Lirisë. Anëtari i shtatë u vendos gjatë ditës së sotme me short.