Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i ka hapur rrugë operimit të kontrollorëve të huaj në rast emergjence, pas situatës së krijuar në aeroportin e Rinasit, pasi kontrollorët pezulluan punën, duke bërë që fluturimet të bllokoheshin.

Ministrja Belinda Balluku ka firmosur sot vendimin, ku do të njihet licenca e kontrollorëve të huaj, kur ajo është lëshuar nga një vend anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.

Autoriteti i Aviacionit Civil do të realizojë njohjen e licencave dhe po ashtu është ngarkuar nga Ministria për ndjekjen e zbatimit të këtij urdhri.

“Përjashtimisht për situatën emergjente të krijuar në shërbimet e lundrimit ajror, në kushtet e mungesës së personelit rezervë të licencuar për ofrimin e këtij shërbimi, deri në një urdhër të dytë, pika 4, e nenit 2, të urdhrit të ministrit nr. 91, datë 21.2.2019, “Për miratimin e rregullores për përcaktimin e kërkesave teknike dhe të procedurave administrative, në lidhje me licencat dhe certifikatat e kontrollorëve të trafikut ajror”, ndryshohet si më poshtë:

4. Për kontrollorët e trafikut ajror, që synojnë të ofrojnë shërbime të trafikut ajror në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, pranë ofruesit të shërbimit të lundrimit ajror të Republikës së Shqipërisë, por që vendi kryesor i operimit dhe zyra e tyre e regjistrimit (nëse kanë), ndodhet jashtë territorit ku aplikohet kjo rregullore (ose ekuivalentja e saj në BE), do të njihet licenca e tyre, kur ata mbajnë një licencë të kontrollorit të trafikut ajror të lëshuar nga një vend anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), në përputhje me aneksin 1 të Konventës së Çikagos. Me njohjen e licencës, këta kontrollorë konsiderohen të licencuar, në përputhje me paragrafin 1 të kësaj rregulloreje.

Detyrat dhe funksionet e caktuara për kontrollorët e trafikut ajror të referuar në nënparagrafin e parë nuk do të tejkalojnë privilegjet e licencës së lëshuar nga vendi i tretë, jashtë ZPEA-së, sipas përcaktimeve të marrëveshjes shumëpalëshe.

2. Autoriteti i Aviacionit Civil të realizojë njohjen e licencave, sipas aneksit 1 të Konventës së Çikagos,.

3. Ngarkohet Autoriteti i Aviacionit Civil për ndjekjen e zbatimit të këtij urdhri.

Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në Fletoren Zyrtare”, thuhet në vendim.

VERITAS.COM.AL