Ministri i jashtëm, Marko Gjuriç, pretendoi se ambasadat e vendit të tij në dy kryeqytete kryesore europiane kanë marrë kërcënime në 24 orët e fundit se do të jenë objektiv i sulmeve terroriste.
“Sipas informacioneve paraprake, këto kërcënime vijnë nga qarqe ekstreme dhe separatiste të një pjese të diasporës sonë nga Kosova, pra nga persona të kombësisë shqiptare”, u shpreh ai për një media në Beograd. Gjuriç shtoi se Serbia po punon me autoritetet e tjera europiane të sigurisë për të parandaluar apo eliminuar këto kërcënime.
“Të paktën një autor i këtyre kërcënimeve është identifikuar. Thjesht, ju e dini si e bëjnë këtë, është një skenar që është parë në vitet ’80 dhe ’90”, pretendoi ministri serb.
Ai akuzon njerëz në Prishtinë se zgjedhin dikë që ka një historik me probleme mendore për të bërë të mundur që autori i ndonjë sulmi të mundshëm të shmangë përgjegjësinë ligjore.