Frrok Çupi/

Qeveria dhe bashkia e Tiranës, përkatësisht “kapot” e tyre, kanë krijuar një tjetër “teatër” sot lidhur me tentativën ku të gjejnë vrimë nga të dalin prej protestës popullore anti- qeveritare. Fillimisht i ka shkruar njëri atij më të madhit dhe i ka shtruar një “hall për popullin”. I ka thënë se si të bëjmë “me heqjen e çadrës” së protestës në bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Pastaj këtë letër, ky më i vogli në pushtet, ia ka dërguar kryetarit të Partisë Demokratike, duke i kërkuar që të zhvendoset çadra e protestës “për arsye të qytetarëve”. Më vonë vetë kryeministri ka kërkuar që protestuesit të zhvendosin çadrën nga bulevardi ku është vendosur në një lulishte nën sqetullën e piramidës së diktatorit Hoxha. Prapë po “për të mirën e popullit”.

Gjithçka si në teatër; siç e kanë futur në absurd edhe vetë jetën qytetare që tani po pëlcet nga protesta.

Teatri i parë është “zhvendosja” duke nënkuptuar se Protesta është e lehtë sa një pupël dhe qeveria mund ta lëvizë ngado.

Teatri i dytë është ky: Ju sigurojmë një vend për çadër nën hijen e piramidës që ishte sajuar si sarkofag i kufomës së diktatorit Hoxha. Mendja që e thotë dhe Simbolika janë kriminale. Partia Demokratike dhe opozita antikomuniste lindën dhe u rritën me vlerën e shembjes së diktaturës komuniste. Qeveria e Rilindjes, e krijuar tërësisht nga bijtë e nëpunësve të lartë të diktaturës komuniste, tentojnë të njollosin anti-komunizmin e kombit, duke ia ulur kokën nën hijen e piramidës së “Keopsit”.

Teatri i tretë i stisur nga qeveria është batuta: “I qajmë hallin popullit”. Këta i qajnë hallin popullit për bllokimin e komunikacionit në bulevard. Për cilindo që njeh qeverisjen e tanishme, kjo tingëllon ironike. Protesta e fundit që nxori në shesh qindra mijëra qytetarë, u ngrit kaq e fuqishme pikërisht për arsyen se qeveria ka bllokuar gjithçka, i ka kthyer kurrizin popullit dhe ka mbushur xhepat e vet. Deri më sot qeveria ka mbyllur çdo hapësirë për qytetarët e vet. E vetmja portë e hapur për të parë mirë për sot dhe për nesër, është protesta e fundit.

Qeveria e tanishme ka mbyllur edhe fizikisht, çdo hapësirë të mundshme. Thuajse gjatë gjithë vitit sheshi “Nënë Tereza” mbyllet nga qeveria me sebepe banale: Një herë për të shitur qofte; herën tjetër për të shitur qofte dhe birrë; një herë të tretë për të shitur qofte mu para zyrave të Presidentit të Republikës me qëllim që të ulin stimën e tij; përsëri pazar me qofte të ardhura nga fqinjët por me emrin “peskavica”. Sheshi i mbyllur gjithnjë.

Vetëm pak ditë ka që është liruar bulevardi nga qoftet e qeverisë. Kjo është qeveri që vjen nga zakoni i vjetër komunist që edhe kur nuk ka shkak, krijon sebep për të zënë rrugën e njeriut. Regjimi komunist dhe qeveria ish- komuniste, fitoren dhe kultin i ngrenë mbi “njeriun e munduar”. Internacionalja e tyre Komuniste, që në vargun e parë,  thotë: “Ngrehuni ju o të munduar…”. Regjimi komunist në Shqipëri e mundoi njeriun edhe për bukën e gojës, edhe për triskën e Frontit, edhe për oxhakun shtëpisë, edhe për kryqin dhe minaren, edhe për festën dhe për vdekjen.

Dhuna e paraardhësit Hoxha, për ta vënë njeriun në shtegun më të ngushtë të mundimit, krijoi “barin” dhe ligjin “mos shkel barin”. Po të ishte epoka e tanishme, bari i lulishtes do të quhej “çadra e protestës”. Kush shkelte barin dërgohej në burg; veçanërisht ata që qeveria i ndiqte si të “pakënaqur”. Të pakënaqurit tani kanë dalë në protestë dhe janë shpallur armiq të qeverisë.

Kur qeveria ishte opozitë, këndonte “Internacionalen” dhe shtirej si “e munduar”, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ngriti njëzet çadra. Atëherë ky popull nuk ishte ky popull. Njësoj si në teatrin absurd ku ka dy popuj: Populli i mirë dhe Populli i keq.

/Veritas.com.al/