Etiketat “rrenc” dhe “mashtrues” i janë mveshur Kurtit meqë sa ishte në opozitë thoshte se rryma është shumë shtrenjtë dhe premtonte uljen e çmimit, derisa tash po deklaron se “aq lirë ka qenë rryma sa qytetarët nuk e kanë ditur as sa po u vjen fatura”.
Gjithashtu, kryeministri është rreshtuar krah kompanisë private për distribuimin e energjisë elektrike KEDS dhe e ka arsyetuar kërkesën e tyre për rritje çmimesh.
Por, qytetarët në protestë e kanë bërë të qartë se nuk e kanë ndërmend të paguajnë “Asnjë cent më shumë”, sepse “Rryma nuk është luks”.
Në protestë gjithashtu është kërkuar, ajo që dikur Kurti e kërkonte, shtetëzimin e kompanisë për distribuim dhe largimin e pronarit privat.
“KEDS t’i kthehet Kosovës”, ishte kërkesa konkrete, sepse “Qeveria është e popullit jo e privatnikut”.
Protesta ka filluar në sheshin “Zahir Pajaziti” derisa qytetarët marshuan drejt objektit të Qeverisë së Kosovës.
Një nga organizatorët e protestës, pos tjerash, i është kundërpërgjigjur Kurtit në deklarimin e tij se “ose duhet reduktime, ose shtrenjtim”.
Nëse qenka me ose – ose, atëherë “ose me neve (qytetarëve), ose me KEDS-in kryeministër”.
“Propozimi i ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë do të na varfërojë edhe më shumë. Ky propozim thellësisht i pa drejtë dhe zhvatës është një tentativë tjetër për të na faturuar neve qytetarëve e në anën tjetër për të pasuruar bizneset”, ka thënë njëra nga organizatoret e kësaj proteste.
Sipas saj, ekzekutivi kosovar nuk i mbron interesat e qytetarëve, por i bënë ata argat të kompanive private.
“Ne nuk do të japim asnjë cent më shumë dhe do të kundërshtojmë me të gjitha mjetet demokratike që i kemi në dispozicion çdo propozim të tillë”.
Organizatorja ka kërkuar gjithashtu që Qeveria e Kosovës të mos e aprovoj propozimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës.
“Ne nuk do të tërhiqemi derisa kërkesat tona të adresohen dhe shteti të rreshtohet me qytetarin e jo me kompanitë private”.
Propozimi Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka qenë që rryma të shtrenjtohet në përgjithësi me 9 për qind, derisa nëse kalohet shifra prej 600kWh (e cila gjatë dimrit gjithmonë kalohet) të futet në përdorim bllok-tarifa.
Me sistemin e bllok-tarifës rryma paguhet gati trefish më shumë sesa çmimi i saj paraprak.
Qeveria nuk e ka kundërshtuar këtë propozim të ZRrE-së, veçse ka dhënë subvencione 75 milionë euro, duke rrafshuar rritjen prej 9 për qind, por duke lënë në funksion bllok-tarifën.
Nëse mbetet kështu, konsumatorëve në Kosovë iu bie të paguajnë energji elektrike shumëfish. Ata paguajnë faturën e rregullt, pastaj bllok-tarifën, paguajnë përmes taksave subvencionin e qeverisë dhe paguajnë po ashtu rrymën që shpenzohet në veri, të cilën nuk e paguajnë serbët që jetojnë atje dhe krejt në fund paguajnë humbjet teknike të energjisë në rrjet, të cilat KEDS-i ua fut në tarifën e përgjithshme.
Për shkak të kësaj situate, është mbajtur edhe një seancë parlamentare e thirrur nga opozita, por Kurti as që ka dashur të dëgjojë.
Krejtësisht i shthurur dhe non-shalant, ai ka thënë se rryma nuk është shtrenjtë, madje deri tani ishte shumë lirë, kërkesat e qytetarëve janë fantazi dhe që të mos kërkohen zgjidhje të pamundura nga ai.