Kreu i PS Edi Rama në takimin e hapur zhvilluar me grupin e parë të aplikantëve në platformën  digjitale u shpreh se ambicia e PS është që të arrijë të jetë partia e 1 milion shqiptarëve aktivë.

Gjithashtu shtoi se beteja e pranverës së ardhshme ka nevojë për shumë më tepër njerëz.

“PS e vitit 2013 kishte shumë të rinj dhe të reja që patën fatin, që t’i krijonin muskujt e tyre në opozitë. Ndërsa për PS të 2030 sfida është që ndryshimi i gjeneratës të bëhet ndërkohë që ne jemi në qeverisje. Partia që fitojë zgjedhjet e para dhe që fiton prej atëherë çdo zgjedhje është një parti që ka bërë shumë punë në këtë vend, përmes fuqisë në qeverisje dhe fuqisë që i është dhënë edhe nga njerëzit. Sot Shqipëria është në një nivel tjetër. Shqipëria ishte një vend i zhytur në borxhe, kantieret publike ishin plagë dhe na u desh një periudhë e gjatë që t’i mbyllim këto gropa të hapura financiare. Sot është shumë pak për të bërë këtë krahasim dhe për t’u kënaqur. Sot nuk matemi ku ishim, por ku duam të jemi në 2030.

Ndaj na duhet një energji më e madhe dhe një PS që të jetë pasqyra e ambicies jo thjesht e vetvetes, por e pjesës dërrmuese për Shqipërinë. Na duhet një parti që të jetë pasqyrë e të gjithë forcave të progresit, të mishëruara në fytyrën emrin, zërin mendjen e të gjithë atyre individëve që janë pjesë e këtyre forcave. Forcave të sipërmarrjes, e botës universitare, të punës në fshat. Forca të cilat në një pjesë të konsiderueshme janë forca mbështetëse të PS. Zgjedhësit tanë janë mbi 700 mijë, ambicia jonë është që ne të synojmë një rritje të fuqisë tonë përfaqësuese që në zgjedhjet e ardhshme. Këta njerëz që nuk janë të regjistruar në PS e mbështesin atë dhe duan suksesin e PS. Në u drejtohemi këtyre njerëzve dhe u themi që nëse dëshironi të jeni më pranë, ne jemi gati”, tha Rama.