Kryeministri Edi Rama i kërkuar opozitës të heshtë dhe t’i ruajë akuzat pasi të mbarojë epidemia e koronavirusit.
Në mbledhjen e qeverisë, duke iu drejtuar rivalit të tij demokrat, Rama tha se Basha ka rastin të duket ‘si unë’ për një periudhë të shkurtër kohe duke i kërkuar të ndalojë daljet.
“Në ditë të zeza është koha e duhur për çdo kënd për të nxjerrë çik bardhësi nga shpirti. Nuk e bëtë kur ra tërmet dhe kur luftohej për të nxjerrë jetë nga gërmadhat, bëjeni tani. Harrojeni këtë histori! Merruni kur të mbarojë epidemia me prokurorira, e me akuza, e me sulme e me helme, por jo tani. Mos na fusni në këtë të gjithëve.
Mos na bëni të dukemi të gjithë njësoj. Keni rastin të dukeni si ne. Ti Lulzim ke rastin të dukesh si unë për një periudhë të shkurtër kohe, nuk të del keq më beso dhe boll dole atje, duke vazhduar t’i biesh fyellit në po atë vrimë ku vetëm zvogëlohesh. Sepse kjo është luftë, nuk është lojë”, tha Rama.
VERITAS.COM.AL/