Lajmi u bë i ditur nga zyra për shtyp e kryeministrit, duke cituar video-mesazhin e tij.
“Në Evropë, plagët e luftërave që pasuan shpërbërjen e Ish-Jugosllavisë, sidomos në Kosovë, janë ende të hapura”, theksoi fillimisht kreu i qeverisë shqiptare.
Paraditen e 2 qershorit pritet të drejtojë edhe debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit.
Kryeministri shqiptar shtoi gjatë video-mesazhit se kjo është dekada e tretë e mijëvjeçarit të tretë.
Në këto momente, sipas tij, bota është e trazuar dhe ne mbetemi dëshmitarë të mizorive të papërshkrueshme.
Kjo, në më shumë pesëdhjetë konflikte përreth globit.
“Demokracia dhe të drejtat e njeriut po sprovohen rëndë në anë të ndryshme të botës”, vijoi kryesocialisti.
Thirrja e tij kaloi kufijtë e vendeve duke kujtuar se abuzimet janë nga Darfur-i në Myanmar, nga Afganistan-i në Siri.
Bashkësia ndërkombëtare, nënvizoi Rama, po lufton t’i vendosë autorët e krimeve të rënda para përgjegjësisë.
“Po bëjmë gjithçka mundemi për të ecur përpara pa e harruar të shkuarën, por duke u angazhuar për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët në paqe”, u angazhua kryeministri shqiptar.
Për Ramën, lufta e Rusisë në Ukrainë ka sfiduar sigurinë evropiane dhe ka tronditur rendin botëror bazuar në rregulla.
“Ne nuk mundemi e nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë” ravijëzoi ai.
Kryeministri e konsideron “urgjente”, veprimin për viktimat e konflikteve të pakuptimta.
“Por edhe për ne, të gjithë, për atë çka besojmë, për atë çka na bën bashkë, për të mbrojtur ligjin, për të ruajtur veprimin shumëpalësh”, theksoi në vijim Rama.
Në përmbyllje, kreu i qeverisë shqiptare zbuloi edhe temën e tryezës së parë nën kryesimin e Shqipërisë.
“Kjo është arsyeja pse ngjarja e parë përfaqësuese e Shqipërisë në presidencën e saj të parë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të kem nderin të kryesoj më 2 qershor i kushtohet ‘Forcimit të llogaridhënies dhe drejtësisë për shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare’”.