Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një interpelancë parlamentare, ka deklaruar se nisma “Open Balkan”, është zgjidhja për rritjen e prodhimeve dhe eksporteve të prodhuesve shqiptarë.
I pyetur nga deputeti demokrat Tritan Shehu mbi nismën, Rama saktësoi se kjo temë është e interesit kombëtar dhe diskutimi mbi të nuk është asnjëherë i mjaftueshëm.
“Fakti është që jetojmë në një gjeografi, të cilën nuk e kemi zgjedhur. Në këtë hapësirë, duhet të stimulojmë prodhimin, eksportet. Ndërkohë që, këta stimuj, kanë të bëjnë me një treg të fragmentarizuar dhe vendet qëndrojnë të mbyllura në hapësira që nuk stimulojnë rritjen e investimeve ashtu si e stimulon hapësira e përbashkët”.
Këtë mendim ka Rama mbi “Open Balkan” dhe të mirave që ai mendon se kjo nismë sjell.
Kreu i Qeverisë e ravijëzoi faktin se iniciativa nuk bie ndesh me atë të “Procesit të Berlinit”. Por, për faktin se ky i fundit po mbeste në letër, u pa nevoja për krijimin e hapjes së rajonit në të tillë mënyrë.
Në tërësi, me Maqedoninë e Veriut, janë 371 biznese eksportuese. Me Serbinë nga ana tjetër, 165 të tilla. nga këta të fundit, 57 janë tregtarë fruta perimesh.
Ajo çfarë është më shqetësuese për Ramën, është fakti se këta tregtarë, duhet të presin 28 milionë orë në kufi. Ndërsa, me “Open Balkan”, ata nuk duhet të presin asnjë sekondë.
Për këtë, Shqipëria është vendi i parë në rajon, i cili ka marrë hapa konkretë drejt implementimit të projektit sipas Ramës. Ndërsa, vizioni, mbetet i njëjti me atë të Procesit të Berlinit.
Marrëveshje ka edhe me Kosovën dhe Malin e Zi, për të krijuar pika kufitare pa ndalesë.
“Ballkani i Hapur do të vijojë, sepse është në të mirë të Shqipërisë. Shqiptarët kanë zgjedhur Partinë Sociale dhe ndaj ‘Open Balkan’ është rruga e duhur për ta”, përmbylli Rama.