“Arsimi është arma më e fortë e përparimit të kombit”. Kështu tha kryeministri Edi Rama në ambientet e Pallatit të Kongreseve, ku po mbahet Kongresi i Arsimit me temë ‘Sfidat e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit europian’. Rama i dha fokus gjuhës shqipe duke thënë se është e rrezikuar dhe ka kërcënim më të madh se asnjëherë më parë.
“Është mirë që kemi sistem të provimit të anglishtes, por është mangësi që s’kemi po të njëjtin sistem për gjuhën tonë amëtare” – tha Rama. Në panelet e Kongresit të Arsimit, tha se duhet të ketë 2 elementë ku duhet të fokusohen, arsimi profesional dhe universiteti. Për këtë të fundit u shpreh se të gjithë duhet të punojnë që diplomat e vendeve të Ballkanit Perëndimor të njihen në sistemin europian.
Gjithashtu tha se arti dhe zejet duhet të futen si program në shkollë. Nuk la pa përmendur si pjesë të prioriteteve edhe vullnetarzimin duke thënë se duhet të njihen orët e vullnetarizmit si një cilësi e vecantë kur të rinjve i jepet e drejtë studimi apo pune.
Edhe futjen e abetares se unifikuar në vitin e ri arsimor e cilëson si një gur themeli. Risi është edhe kurrikula TIK në klasat e para, me Laboratorët Smart që janë ngritur edhe në 100 shkolla të tjera në të gjithë vendin. Këtij qëllimi i shërben Laboratori i ri digjital Smart i kësaj shkolle, që u inaugurua sot dhe që do të jetë pjesë e kabineteve mësimore në të paktën 100 shkolla të arsimit bazë publik të vendit. Kryeministri tha se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe aftësimit të të rinjve me programet e kodimit, për ti përgatitur ata për një treg të ri pune.
Kongresi Për Arsimin mblodhi në Tiranë në Pallatin e Kongreseve ministra, akademikë, rektorë nga hapësira shqiptare dhe të huaj, si dhe agjenci, partnerë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe donatorë të projekteve në fushën e arsimit, etj.
Kongresi i Arsimit do të jetë në datat 12 dhe 13 shtator, përqendrohet në “sfidat e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit evropian” dhe ka për qëllim të bashkojë në një hapësirë diskutimi shumë aktorë në fushën e arsimit, përfshirë arsimin parauniversitar, arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.
Pjesëmarrja në këtë kongres, e shumë autoriteteve të institucioneve arsimore, rektorëve, akademikëve, pedagogëve, studiuesve, politikëbërësve nxit bashkëpunimin e ndërsjellë për sfidat e të ardhmes, për një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit evropian.