LITUANI– Më 11 dhe 12 korrik, udhëheqësit e shteteve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) do të takohen në Vilnius të Lituanisë. Ata pritet t’i adresojnë sfidat më urgjente për aleancën, për të rritur kapacitetet mbrojtëse dhe parandaluese të NATO-s, si dhe për ta sjellë më afër grupit Ukrainën, sipas aleancës.

Shqipëria si vend anëtar i NATO-s ka dëshmuar përkushtimin dhe seriozitetin e saj, duke u shprehur hapa konkretë në rritjen e kontributit për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

Kryeministri Edi Rama shtoi se Shqipëria është e gatshme të angazhojë trupa shtesë për të forcuar praninë e saj në NATO dhe se angazhohet për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto ( PBB-së).

Këtë të martë, Rama shkruan se Samiti në Vilnius i gjen aleatët më të fortë dhe më të vendosur për ruajtjen e paqes.

“Dhe me mesazhin e këtij viti të Samitit të Vilnius, Lituani që i gjen aleatët e NATO-s më të fortë e më të vendosur, për të mbrojtur lirinë dhe sigurinë e popujve tanë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka theksuar se vendimet që do merren në samit do ta sjellin Ukrainën më afër NATO-s.

“Vendimet që ne do t’i marrim në Vilnius do ta sjellin Ukrainën më afër NATO-s… forcimi i mbrojtjes së NATO-s do të jetë në krye të agjendës së samitit tonë, po ashtu”, tha Jens Stoltenberg.