Kryeministri Rama ishte i pranishëm në eventin e analizës dhe planit strategjik 5-vjeçar të Bashkisë së Tiranës, ku u prezantuan arritjet, sfidat dhe projektet kryesore të realizuar nga bashkia gjatë pesë viteve të fundit.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri u shpreh se: “ Dua të ndalem tek niveli i jetesës i familjeve dhe perspektiva për të rinjtë që përfundojnë shkollën, që e dimë shumë mirë që njërin e sy e kanë përtej Shqipërisë. Kjo është sfida e sfidave, që i tejkalon forcat dhe mundësitë e një pjese të qeverisë që nuk mund ta përballojnë dot vetëm. Ky është momenti më kritik dhe duhet që të gjitha palët të bëhen bashkë. Në radhë të parë gjithë sipërmarrja, jemi në një fazë kur duhet të kërkojmë rritjen e vazhdueshme të pagave, duhet ta konsiderojmë këtë dhe vitet që vijnë si kohën maksimale që kemi për të kapërcyer hendekun që rreziku të bëhet i pakapërcyeshëm nëse nuk verojmë sot. Kjo është më e lehtë ta thuash sesa ta bësh, madje është më e vështira nga të tëra. Nga ana tjetër nuk është absolutisht e pamundur që të bëjmë më shumë hap pas hapi dhe të synojmë që njerëzit tanë në vendin tonë të mos ndihen keq, të pavlerësuar, të sfiduar ditë e natë nga mundi i pashpërblyer dhe nga stresi i tundimit për t’u larguar.
Natyrisht që ne nuk hyjmë dot në konkurrencë me Gjermaninë kur vjen puna tek shpërblimi i fundit të muajit, por ne kemi detyrën dhe mundësinë të hyjmë në një ndërveprim të hapur mes gjithë palëve për të garantuar që gjithë njerëzit të marrin atë që është maksimumi i mundshëm i këtij vendi. Këtu sipërmarrja private duhet të bëjë një reflektim pa humbur kohë.”