Ashtu siç njoftoi teksa prezantonte Planin e ri të Veprimit në shkolla, gjatë një bashkëbisedimi me prindër të nxënësve, kryeministri Edi Rama ka përsëritur se do t’i qëndrojë vendimit për mbylljen e rrjetit social Tik Tok në Shqipëri.

Në konferencën e fundvitit me gazetarët, shefi i qeverisë sqaroi se do të duhen të paktën 6 javë për të venë në zbatim vendimin, i cili do të jetë në fuqi për një vit.

“Kemi një situatë që ju e njihni lidhur me Tik Tok. Ne nuk lëvizim nga vendimi që kemi marrë dhe siç e kam paralajmëruar është një vendim për impelemtinimin e të cilit do të na duhen 6 deri në 8 javë sepse teknologjikisht është shumë e rëndësishme kjo kohë”, tha Rama.

Kujtojmë se në fjalën e tij 9 ditë më parë, kryeministri njoftoi se qeveria do të mbyllë Tik Tok për një vit, pasi sipas Ramës në këtë rrjet social “shikon lloj-lloj perversiteti e rrugaçërie”.

“Brenda pak kohësh, të gjitha shkollat do kenë programe smart. Ky është një program që do të nisë të implementohet. Do mundësojmë që prindërit ta kenë në video fëmijën e vet dhe për çdo problem, drejtoria do kenë mundësi fëmijët me prindërit. Është shumë më i fortë, shumë më ndikues, shumë më tërheqës ai rrugaçi i lagjes që e ka në telefon që quhet TikTok. TikTok-u është rrugaçi i lagjes. Kemi frikë kur fëmija shoqërohet me të kur del nga shtëpia. Ne TikTok-un do ta mbyllim për një 1 vit. Rrugaçë, perversitete, llum e qenëri, çfarë nuk sheh në Tik Tok-un e Kinës”, tha Rama.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *