Për gati 3 orë kanë biseduar bashkë në Haaglanden, në dhomat e paraburgimit në Hagë, Kryeministri Edi Rama dhe ish-presidenti, ish-Kryeministri i Kosovës e ish-komandantit të UÇK-së, Hashim Thaçi. Në takimin që Rama e konsideroi një çmallje e nevojshme, ai tha se e pa Thaçin të fortë dhe të bindur më shumë se kurrë se kjo është sprova e radhës për t’i treguar botës më hapur se kurrë pastërtinë e luftës së shqiptarëve të Kosovës për liri.

Rama nënvizoi edhe një herë se lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të rishkruhet as nuk mund kurrsesi të futet në korniza të tjera.

“Ajo është tanimë e futur në kornizën e artë të heroizmit, sakrificave, të gjakut të dhënë”, tha Kryeministri.

Ky takim vjen pasi ish-presidenti Hashim Thaçi u paraqit sot paradite para Gjykatës Speciale për shkak të aktakuzës së re, të ndryshuar, të cilën Prokuroria e Specializuar e dorëzoi së fundmi në gjykatë. Thaçi tha se nuk i ka kuptuar akuzat e reja, por tri herë u deklarua i pafajshëm.

Zyra e Prokurorit të Specializuar të premten e ka dorëzuar në Gjykatën Speciale një aktakuzë të re, të ndryshuar, kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të gjithë drejtues të luftës për liri të Kosovës.