Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas pritjes zyrtare nga homologu italian, Mario Draghi, kanë mbajtur një deklaratë të përbashkët për mediat me në fokus rrugëtimin evropian të shtetit shqiptar.
Në fjalën e tij, Draghi, e ka cilësuar Shqipërinë, “një mike në kohët më të vështira të Italisë”.
Ai i është referuar periudhës COVID-19, kur Qeveria shqiptare dërgoi një grup mjekësh në Itali.
Ndër të tjera, numri një i Qeverisë italiane vlerësoi marrëdhëniet mes dy shteteve, të cilat i cilësoi si “të suksesshme në shumë fusha”.
Draghi shfaqi mbështetjen e plotë kundrejt rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit evropian.
Ai u shpreh optimist për zgjerimin e BE-së, por theksoi se kjo është një strategji afatgjatë që përkufizon identitetin e unionit.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama, përsëriti faktin që Shqipëria i ka përmbushur detyrat e saj, dhe se nuk ka kuptim të ketë dy korsi të ndara, një e BE-së dhe një e Ballkanit Perëndimor.
I pyetur nëse Shqipëria do të ndahet nga Maqedonia e Veriut, ai u përgjigj se kjo nuk do të ndodhë.
“Madje shtete si Holanda dhe Franca po punojnë për ta hequr veton bullgare ndaj MV-së”, ravijëzoi Rama.
Edhe kryeministri Dragi tha se, integrimi i Ballkanit Perëndimor, i “sheh vendet së bashku”.
Bashkëpunime Itali- Shqipëri
Të dy kryeministrat kanë njoftuar bashkëpunimin përmes Gjyqësorit.
Në këtë mënyrë, Rama do të nënshkruajë në Ministrinë e Jashtme Italiane, pjesëmarrjen në Komunitetin ekonomik mes Shqipërisë dhe Italisë.
Kryeministri shqiptar shprehu dëshirën që homologu italian të vizitojë Shqipërinë, “pasi të kemi organizuar së bashku një javë të përbashkët”.
“Italia është një vend shumë i zhvilluar, Shqipëria një vend në zhvillim e sipër, por duhet që të gjenden rrugët për t’i forcuar këto lidhje”, tha Rama.
Njohja e pensioneve
Nuk kishte si të mungonte edhe shqetësimi i numrit një të Qeverisë shqiptare, për t’i kërkuar përshpejtimin e njohjes së sistemit të pensioneve.
Qindra mijëra shqiptarë jetojnë në Itali. Fuqia e tyre punëtore u është përgjigjur detyrimeve legjislative, pasi ata paguajnë miliarda kontribute për sigurimet, por shumicës prej tyre nuk i njihet e drejta e pensionit.
Kjo, për shkak të një mungese ligjore. E njëjta gjë edhe me italianët, që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri.
Gjatë një vizite në Itali, në mars të këtij viti, Rama kërkoi sërish njohjen e kontributeve të pensioneve.
“Janë rreth 50 mijë ndërmarrje të vogla dhe të mesme në Itali. Problemi është që të kenë njohjen e kontributeve për pensionet. Është një problem që duhet ta zgjidhim me qeverinë italiane”, deklaroi në atë kohë.
Sipas Ramës, ky është një proces i filluar prej kohësh dhe tejet i vështirë.
Në mars të 2021-it, një grup emigrantësh shqiptarë u kanë dërguar letër autoriteteve më të larta italiane e shqiptare me kërkesën për drejtën e njohjes së pensioneve për emigrantët mes dy shteteve Itali-Shqipëri.
Negociatat për këtë marrëveshje kanë nisur që në vitin 2013.