Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se bonuset ndaj pensionistëve do të vijojnë teksa solli në vëmendje bonusin e fundvitit të kaluar dhe atë që pritet t’u jepet kësaj kategorie në pranverë.
Në konferencën ndërkombëtare për reformën në sistemin e pensioneve në Shqipëri, ku ishin të pranishëm ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja si dhe Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu, kreu i qeverisë vuri në dukje se paralelisht me bonuset e pensioneve do të rritet edhe lufta ndaj informalitetit të pagave.
“Nga një bonus të fundvitit ne tani kemi kaluar në 2 bonuse, një në fundvit dhe një në pranverë dhe i kemi lidhur këto bonuse me rritjen ekonomike dhe me performancën e ekonomisë.
Duam që këto bonuse të vazhdojnë dhe që pensionistët të marrin pjesë në shpërndarjen e fryteve të rritjes. Ndërkohë duke rindërhyrë në sistemin e pensioneve duam të bëjmë një akselerim pa prishur në asnjë mënyrë themelet që ka sistemi.
E fundit që kam është që pa diskutim që kemi akoma hapësirë të konsiderueshme në luftën kundër informalitetit të pagave.
Ka një ndryshim, sepse ka një rritje të pagave në tërësi, ka një ndryshim sepse është konstatuar në deklarimet e fundit një rritje e deklarimit të pagave dhe kontributeve por ka akoma shumë hapësirë për të marrë më shumë në funksion të skemës së fondit të sigurimeve shoqërore”, u shpreh Rama.
Ai shpjegoi se në Shqipëri ka ndodhur diçka që nuk ka ndodhur në asnjë nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, ku sipas tij, “që në fillim të viteve 90’ qeveria me një vendim nxori në pension të gjithë ata që dolën të papunë nga ndalimi i prodhimit industrial komunist. Krijoi një kategori të panjohur pensionitësh të moshës 40-45 vjeç. Ajo kategori pavarësisht punëve të tjera që mund të ketë bërë në sektorin privat, rezulton sot e gjithë ditën pjesë e skemës së pensioneve. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend të rajonit”
Komente