Ekskluzive nga Kievi/ Albanian Post

 Dy liderë nga Ballkani Perëndimor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, po prekin nga afër masakrat që kanë ndodhur në Ukrainë pas agresionit rus.

Pas një udhëtimi të gjatë, 12 orëve me tren, nga qyteti i Pshemishit (Poloni), të mërkurën e 15 qershorit dyshja ballkanike zbarkoi në Kiev.

Aty u pritën nga forca të shumta ushtarake dhe delegacioni ukrainas.

 

Fillimisht Rama dhe Abazoviç u ndalën në Bucha të Ukrainës, qytet në rrugët e të cilit u gjendën qindra njerëz të ekzekutuar me duart të lidhura pas shpine dhe, që prej fillimit të luftës, ka ndodhur masakra më e madhe njerëzore, raportuar nga ukrainasit.

 

Udhëtimi i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor vijoi në zonat e bombarduara të Borodyanka-s dhe Irpin-it.

Borodyanka shpesh është cilësuar si rajoni ku Rusia ka treguar fytyrën e vërtetë, anën e errët e njerëzimit.

Pavarësisht pamjeve tronditëse dhe situatës në Bucha, situata me humbjet njerëzore paraqitet më e rënduar në Borodyanka.

(Pamje nga Borodyanka – Foto nga gazetari Baton Haxhiu, i cili ndodhet në Kiev Ukrainë)

Gazetari Baton Haxhiu, i cili është pjesë e delegacionit shqiptar, raporton ekskluzivisht për Albanian Post se qyteti është tërësisht i shkatërruar.

Sakaq, pjesë e agjendës zyrtare të Ramës dhe Abazoviçit, ishte edhe vizita në Muzeun Kombëtar të Historisë së Ukrainës në Luftën e Dytë Botërore, ku shpaloset ekspozita kushtuar luftës ruso-ukrainase.

Më tej, ata do të zhvillojnë disa takime të rëndësishme.

Në orët e para të mesditës, përcjell Haxhiu për Albanian Post, Rama dhe Abazoviç do të takohen me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Të tre liderët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Vizita do të vijojë me takimin e kryeministrit të Ukrainës, Denys Shmyhal, dhe kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko. Nuk do të mungojë as edhe një intervistë ekskluzive me “New York Times”.

Delegacioni shqiptar

Kryeministri Edi Rama shoqërohet nga Ambasadori i Republikës së Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, dhe Këshilltari i Jashtëm, Dorjan Duçka, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, si dhe drejtori i Agjencisë për Media dhe Informim, Endri Fuga.

( Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov, gjatë vizitës së tij në Kiev )

Pjesë e delegacionit shqiptar janë edhe gazetarët Baton Haxhiu dhe Ben Blushi. I gjithë delegacioni shoqërohet nën masa të rrepta sigurie.

Forcat Speciale RENEA përgjigjen për sigurinë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Nga ana tjetër, janë edhe Forcat Speciale të Malit të Zi, të cilat shoqërojnë kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Forcat Speciale RENEA janë pjesë e sigurisë, për shkak se elementët e sigurisë: ushtria dhe policia ukrainase janë të ngarkuara me situatën e krijuar.

Ashtu siç raporton Haxhiu nga Kievi, vlen të theksohet se, ndonëse prej muajsh Ukraina po i bën ballë pushtimit rus, kryeqyteti përcjell një pamje tjetër.

Sipas tij, qytet i pastër, postblloqe elegante dhe automjete të kamufluara mirë, janë përshtypja e parë që merr nga Kievi.