Ditën e sotme një protesta qytetare ka nisur nga shkolla “Fan Noli” për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani , e cila është zhvendosur në Ministrinë e Arsimit.

Pjesëmarrës në protestë ishin edhe shokët e shoqet e klasës së Martinit.

Një protestuese ndërkohë ka lexuar mesazhin që i ka ardhur nga nëna e të ndjerit Martin Cani.

“Nuk mendoj që ka fjalë që e përshkruan këtë dhimbje që na ka lënë një boshllëk të madh që nuk do të mbushet kurrë. Falënderoj gjithë popullin shqiptar anembanë dhe FSHF, për praninë dhe mbështetjen në këto momente të vështira. Nuk di sa mirënjohëse mund të them që jam për ato që iu gjendën aty Martinit në momentet e tij të fundit. Ju falënderoj nga zemra. Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë! Ia morën të dyja. Si nënë që jam uroj nga thellësia e shpirtit që askush mos u sprovoftë me dhimbje të tilla. Respekte Florina dhe Angel Cani”.”-lexoi protestuesja.

Marshimi protestë vjen si qëllim për sensibilizimin e institucioneve dhe shoqërisë që ngjarje si ajo e vrasjes së Martin Canit 14 vjeçar të mos ndodhin më. 14 vjeçari u vra me thikë më 18 nëntor,  pak metra larg shkollës “Fan Noli’ ku ishte nxënës edhe autori, 14 vjeçar tashmë i arrestuar nga policia.

“Kjo vrasje ka autor që duhet të mbajë përgjegjësi. Institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi. Nuk ka asnjë komunikim zyrtar e më lën të dyshoj që oficeri i sigurisë, mësuesja, drejtoresha e shkollës, ministria e arsimit nuk e ka bërë detyrën e vet sa duhet. Qeveria që e sheh përgjegjësinë tek mbyllja e TikTokut tregon se nuk e ka bërë punën si duhet,’ tha një vajzë pjesë e protestës.

“Rrjetet sociale janë të rrezikshme por nuk mund të hiqet përgjegjësia nga qeveria! Ministrja duhet të japin menjëherë dorëheqjen. As për një minutë heshtje nuk u mbajt në Kuvend ndërsa ministret flisnin me njëra tjetrën. Nuk janë nëna, i ka mbyt pushteti dhe leku” thotë një tjetër qytetare.

Ndërkohë Prokuroria e Tiranës ka ashpërsuar akuzën për autorin e dyshuar të vrasjes së Martin Canit.

Ndryshe nga referimi i policisë për veprën e “vrasjes me dashje”, prokuroria ka vlerësuar se i mituri duhet të akuzohet për “vrasje në rrethana cilësuese”, si edhe “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.