Gjykata e Posaçme e Apelit ka dhënë “dritën jeshile” për tragjedinë e Gërdecit. Magjistratja e posaçme Saida Dollani ka marrë vendimin në dhomë këshillimi duke rrëzuar Shkallën e Parë, e cila disa kohë më parë vendosi të mos niste hetimet.
Por me këtë vendim të sotëm, Gjykata e Apelit i ka hapur rrugë nisjes së hetimeve për tragjedinë e Gërdecit që i mori jetën dhjetëra personave dhe la të plagosur shumë të tjerë. Dëmi ekonomik ishte i pallogaritshëm.
Nuk dihet ende se çfarë provash dhe argumentesh ka në dorë gjyqtarja e posaçme e cila ka vendosur që rinisin hetimet për Mediun. Avokatët mbrojtës të ish-ministrit kanë bërë me dije pas vendimit se ata do ta apelojnë atë, duke e quajtur të pabazuar.
E vetmja “pengesë” për rinisjen përfundimtare të hetimeve ndaj Fatmir Mediut është ankimimi që avokatët mund të bëjnë në Gjykatën e Lartë. Nëse ky institucion, si organi më i lartë i drejtësisë në vend, lë në fuqi vendimin e dhënë sot nga magjistratja Saida Dollani, atëherë Fatmir Mediu merret si pandehur dhe hetimet nisin nga fillimi.
Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit, specifikisht Feruzant dhe Zamira Durdaj, prindër të 7-vjeçarit që humbi jetën nga predhat, e akuzojnë Mediun si fajtor. Kallëzimi në SPAK që solli hapjen e kësaj dosje është bërë pikërisht nga çifti Durdaj.
Tashmë, duhet që Gjykata e Posaçme e Apelit të zbardhë vendimin e magjistrates Saida Dollani dhe më pas avokatët e Mediut kanë 7 ditë kohë që të zgjedhin nëse do ta ankimojnë në Gjykatën e Lartë apo jo.