Agjencitë amerikane të zbulimit kanë bërë të ditur se SHBA përballet me një “rend botëror gjithnjë e më të brishtë”. Këto përfundime janë pjesë e një raporti të përvitshëm nga drejtuesit e agjencive të inteligjencës, që u paraqitën në një seancë të Senatit amerikan.

“Një Kinë ambicioze por e trazuar, një Rusi konfrontuese, disa fuqi rajonale, si Irani, po sfidojnë rregullat e vjetra të sistemit ndërkombëtar, si dhe epërsinë e Shteteve të Bashkuara brenda tij”, thuhet në raportin vjetor të agjencisë për kërcënimet botërore që mbulon zhvillimet e vitit 2023.

Drejtorja e Zbulimit Kombëtar amerikan,  tha para Senatit se është “vështirë të imagjinohet se si mund ta mbajë Ukraina territorin e rifituar, pa ndihmë të mëtejshme nga Shtetet e Bashkuara”.

Lidhur me Ballkanin Perëndimor, në raport thuhet se ky rajon “ndoshta do të përballet me një rrezik në rritje të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024”. “Udhëheqësit nacionalistë ka të ngjarë të acarojnë tensionet për avantazhin e tyre politik dhe aktorët e jashtëm do të nxisin dhe shfrytëzojë dallimet etnike, për të zgjeruar ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal, ose për të penguar integrimin e mëtejshëm të Ballkanit në BE ose në institucionet euroatlantike”, thuhet në raport. Aty përmenden si shembuj ngjarjet në Banjskë në shtator, ku “përleshjet mes nacionalistëve serbë dhe autoriteteve kosovare shkaktuan vdekje dhe plagosje, përfshirë lëndimet e paqeruajtësve të NATO-s, në vitin 2023”, si edhe veprimet provokuese të udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik/ A2CNN