Sot paradite është rrëzuar mbikalimi i këmbësorëve në zonën e Bahçallëkut në Shkodër. Gazetari i ABC news Simon Shkreli raporton se nuk ka persona të lënduar apo dëme materiale.

 Mësohet se një kamion teksa po transportonte një eskavator ka hasur në mbikalim, çka dyshohet të jetë edhe shkaku i shembjes së mbikalimit.

Në pamjet e siguruar nga ABCNews shihet e gjithë pjesa metalike, e cila pas rënies ka zënë aksin rrugor që lidh Shkodrën me Lezhën. Policia dhe zjarrfikëset ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për lehtësimin e trafikut.

Gazetari i ABCnews, Simon Shkreli ka ndjekur hap pas hapi këtë ngjarje të rëndë, e cila fatmirësisht nuk pati persona të plagosur. Ai raporton se mbikalimi është vendosur në vitin 2006 dhe nuk është përdorur prej banorëve.

“Mbikalimi është vendosur në vitin 2006, me kërkesë të banorëve të kësaj zone, por që pothuajse nuk është përdorur ose është bërë si atraksion. Dy vite më parë është bërë një lloj investimi. Goditja ka qenë e fortë, por dhe amortizimi i kohës ka bërë të veten. Është përdorur për vendosjen e reklamave dhe nuk është shfrytëzuar nga banorët”, tha ai.

Njoftimi i policisë: 

Rreth orës 12:00, është shembur pjesërisht mbikalimi i këmbësorëve, në vendin e quajtur “Ura e Bahçallëkut”. Në momentin e shembjes, nuk ka patur në lëvizje automjete dhe as këmbësorë.Në vendngjarje janë shërbimet e Policisë, shërbimet e zjarrfikëses dhe të Entit Pronar të Rrugës, të cilët po punojnë për hapjen e rrugës. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e shkakut të shembjes së mbikalimit.