Për herë parë që nga fillimi i luftës, Ukraina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara mbajnë bisedime trelëshe në Abu Dhabi, me qëllim fundin e konfliktit që filloi katër vite më parë.
Shtetet e Bashkuara përfaqësohen nga Steve Witkff dhe Jared Kushner, të cilët i bahskohen takimit pas një bisede me Vladimir Putin në Moskë.
Nga Ukraina në takim marrin pjesë disa nga zyrtarët e saj të lartë, përfshirë Rustem Umerov, kreun e këshillit të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare të Ukrainës, Kyrylo Budanov, kreun e zyrës së Zelensky, negociatorin David Arakhamia dhe shefin e shtabit të përgjithshëm, Andrii Hnatov.
Bisedimet për palën ruse drejtohen nga admirali Igor Kostyukov, zëvendësshef i shtabit të përgjithshëm rus. I dërguari rus i investimeve Kirill Dmitriev është gjithashtu në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe do të takohet veçmas me Witkoff në takim.
Ndërkohë bisedimet në Rusi mes Putin dhe dy të dërguarve amerikanë ishin konstruktive dhe shumë të sinqerta, sipas detajeve të njoftuara nga Kremlini.
Por pika kyçe për të cilën ende nuk ka dakordësi janë territoret. Putin theksoi gjatë takimit se nëse nuk zgjidhet kjo çështje sipas formulës territorizle të rënë dakord gjatë takimit me Donald Trump në Alaska, nuk ka shpresë as për një zgjidhje afatgjatë.
Lideri ukrainas Volodymyr Zelensky tha se pikërisht çështja e tërritoreve, do të jetë një pjesë e rëndësishme e diskutimeve në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ka pak detaje në lidhje me bisedimet në Abu Dabi por Volodymyr Zelensky ka thënë se ato do të zgjasin dy ditë.
Bisedimet vijnë në një moment të vështirë për Ukrainën. Vendi ka qenë nën sulmet ruse që nga fillimi i këtij viti dhe infrastruktura e dëmtuar rëndë ka lënë qindra mijëra familje pa energji elektrike këto ditë të ftohta dimri.
Ajo që bie sërish në sy është mungesa e zyrtyarëve europianë në këto negociata. Presidenti ukrainas e shprehu qartë zgjgënjimin e tij me aleatët në kontinent gjatë forumit të Davosit në Zvicër
Në përgjigje të Zelensky, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se BE ishte mbështetësja më e madhe e Ukrainës.
“Veprimet flasin më shumë se fjalët”, u tha ajo gazetarëve, por pavarësisht kësaj, roli i europianëve vitin e fundit në përpjekjet për arritjen e paqes, ka qenë dytësor dhe liderët e kontinentit kanë vepruar vetëm kur situata dukej të ishte emergjente
Komente