Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bisedë të shkurtër me presidentin amerikan, Joe Biden, gjatë samitit të NATO-s, i cili po mbahet në Spanjë.

Kryeministria ka publikuar pamje, ku Rama duket teksa flet me Biden, por nuk janë bërë të ditura detaje.

Kryeministri së bashku me pjesëmarrësit e tjerë në Samit do të mirëpriten nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s  z. Jens Stoltenberg dhe Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez. Në vijim, Kryeministri Rama do të ndjekë seancën plenare të Samitit, ku të pranishëm do të jenë edhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka dhe Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.“Përballemi me sfidën më të madhe që prej Luftës së Dytë Botërore”. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë fjalës së tij në nisje të atij që e cilësoi një samit historik dhe transformues në Madrid. Rusia, tha ai, përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë tonë, dhe shpresoj që shtetet anëtare të shprehen qartë lidhur më këtë.

Plani i ri strategjik i aleancës, sipas Stoltenberg, do të reflektojë edhe një realitet të ri lidhur me Kinën. Shefi i NATO-s tha se nuk e konsideron Pekinin si kundërshtar, por pret që aleatët të pajtohen se ajo është një sfidë për vlerat dhe interesat e tyre.

Një ditë para nisjes zyrtare të punimeve, Turqia hoqi veton për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, pas kundërshtimit fillestar që dy vendet t’i bashkoheshin aleancës ushtarake. Ministrat e Jashtëm të tri vendeve firmosën në Madrid një marrëveshje ku angazhohen të mbrojnë sigurinë e njëri-tjetrit, duke i dhënë fund kështu dramës disajavore që testoi unitetin e aleatëve kundër luftës ruse ne Ukrainë.

Nënshkrimi u bë në prani të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, Presidenti finlandez Sauli Niinisto dhe Kryeministres suedeze Margaret Andersson, pas një takimi që zgjati katër orë.