Presidenti i SHBA-ve ka folur në samitin e NATO-s për situatën në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri Edi Rama tha se pasi kësaj teme iu dha rëndësia e duhur, ai ndihet më i qetë për Kosovën.
“Unë jam shumë i rehatuar nga fjala e presidentit Biden sot në Këshill që sot foli për këto tema sepse problemi i Ballkanit Perëndimor sot në lidhje me sigurinë ndoshta mund të mos jetë në të njëjtën madhësi të problemit të madh ukrainas, por nuk është aq i vogël sa të trajtohet si diçka e pavlefshme dhe çfarë po ndodh, diçka që është me të vërtetë shumë e rrezikshme me pjesën e Kosovës së veriut që të bëhet një vatër zjarri me një kërcënim të hapjes së konfliktit“, tha Rama.
Por kreu i qeverisë shqiptare tha se situata në Ballkan po bëhet e rrezikshme edhe për shkak të fuqizimit të grupeve kriminale në veri të Kosovës.
“Teksa lehtësimi i dialogut të BE-së punon me të dyja palët, me Beogradin dhe Prishtinën, ka një palë të tretë që është duke u ngritur, që janë pikërisht grupet ekstreme në Kosovën e veriut ku është krijuar në vite si një vend parajse për aktivitete kriminale, të trafikimit të drogës, trafikimit të armëve, prodhimit të kriptomonedhave dhe aty ku kjo amalgamë, kjo përzierje e politikanëve lokalë me botën kriminale dhe me një përzierje të interesave të mafies, përballë shqetësimeve kombëtare dhe të drejtave të njeriut, mund të jetë në të vërtetë një situatë shpërthyese dhe prandaj mendoj se është koha që të kombinojmë tashmë këtë dialog të lehtësuar nga BE, këtë rrugë diplomatike me një qëndrim më të fortë të NATO-s nëpërmjet KFOR-it.“, tha Rama.
Samiti i NATO-s po mbahet në Lituani në datat 11 dhe 12 Korrik. Aleanca e Atlantikut ka diskutuar për çështjet e sigurisë në Ukrainë dhe Ballkan por edhe për zgjerimin për të anëtarësuar Suedinë që mori dritën jeshile nga Turqia si pengesa e fundit por edhe për anëtarësimin e Ukrainës një ditë kur ajo të çlirohet nga pushtimi rus./abcnews.al