Kryeministri Edi Rama në një komunikim të zhvilluar me gazetarët në Shkup, foli për samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, duke u ndalur edhe tek darka e zhvilluar me zyrtarë të BE dhe SHBA.

Kryeministri Rama u shpreh se ndodhej për herë të parë në një darkë ku të pranishëm ishin presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke theksuar se ishte një takim pozitiv. Rama gjithashtu nënvizoi se në atë takim, u zhvillua një komunikim pozitiv mes të gjithë palëve.

“Është hera e parë që unë jam në një darkë së bashku me Albinin dhe Presidentin Vuçiç dhe u bë një komunikim pozitiv mes të gjithëve. Dhe më rezulton që ky format dhe këto kërkesa që ka sot BE nga të gjithë për të na dhënë mundësinë që ne të marrim shumë më tepër mbrapsht në aspektin ekonomik dhe financiar flasin vetë për atë që më ka rënë goja gjithë këto vite, pasi ne duhet të integrohemi vetë brenda për brenda. S’jemi gati sepse kemi humbur kohë duke u marrë me terminologji. BE e ka bërë të qartë që kush do të bëhet shkak do të penalizojë vetveten. Në vend të merremi me përmbajtjen duhet të merremi me punë konkrete”, tha ai.