Fillimisht, kryeministre e Finlandes, Sanna Marin u ndal te marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Finlandës që prej vitit 1956 kur Evropa asokohe dukej ndryshe.
Kryeministrja finlandeze bëri thirrje për mesazhe bashkëpunimi dhe bashkërendimi ndaj agresionit rus në Ukrainë.
“Jemi së bashku për të ndihmuar Ukrainën në luftën mizore të Rusisë. Rusia ka ndryshuar për dekada mjedisin tonë të sigurisë. Një shumicë e finlandezëve e mbështesin anëtarësimin tonë në NATO”.
Këto ishin disa nga mesazhet e Sanna Marin ndërsa nuk kurseu as angazhimin e Finlandës për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.
Kujtojmë që ditën e djeshme, Marin vizitoi Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Gjatë 21 qershorit pritet të përmbyllë turin në Ballkanin Perëndimor me Shqipërinë dhe Kroacinë.
Temat kryesore në agjendën e takimit të krerëve shtetërorë janë aplikimi i Finlandës për anëtarësim në NATO, ndikimi i aplikimit në forcimin e sigurisë së NATO-s dhe politikat e ardhshme të NATO-s.
Tema të tjera për t’u diskutuar janë proceset e anëtarësimit në BE të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
Temat përfshijnë gjithashtu luftën e agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe pasojat e saj, mbështetjen për Ukrainën dhe marrëdhëniet dypalëshe.