Situata në ishullin e Sazanit vijon të jetë shumë problematike, për shkak të zjarreve të shumta që kanë përfshirë një pjesë të zonës dhe afërsisë me një ish-repart ushtarak, ku ndodhen ende armatime të rënda të pashpërthyera, të cilat mbahen në magazinat e bazës.

Një reagim ka pasur edhe nga kreu i Emergjencave Civile mbi luftën që po kryhet momentalisht në Sazan.

Haki Çako theksoi se është kryer një plan i detajuar dhe se të gjitha strukturat e posaçme janë në terren për shuarjen e flakëve.

“Jemi në monitorim nga ajri”, nënvizoi Çako. “Situata është e njëjtë. Zjarri vijon, por është bërë një plan për izolimin e tij në pjesën jugore. Të gjitha forcat zjarrfikëse, të agjencisë së zonave të mbrojtura dhe të Forcave të Armatosura janë në terren”.

Terreni, në të cilin ka ende vatra zjarri, është shumë i vështirë dhe me shumë bimësi. Po ashtu, duke qenë se zona është e shkëputur, ka pak mundësi për furnizim të bollshëm me ujë, pa përdorimin e helikopterëve të emergjencës.

Kreu i Emergjencave Civile siguroi gjithsesi se situata po ndiqet hap pas hapi dhe se ajo do të vihet nën kontroll.

Megjithatë, zjarri mbetet aktiv. Teksa, shkaqet e tij, po hetohen.

Vatra kryesore ka qenë aktive prej pasdites së 5 qershorit, kur 61 efektivë të Forcave Detare dhe Tokësore shkuan drejt ishullit të Sazanit për të luftuar me flakët.

Përpjekja ka vijuar edhe gjatë natës, sipas ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, duke bërë një rrotacion me turne në radhët e trupave.

Nga banorë të zonës ndërkaq, nuk është përjashtuar edhe fakti se disa prej municioneve ushtarake mund të kenë shpërthyer, pasi janë dëgjuar zhurma të forta të ardhura prej përtej detit.

Këto mbetet ende të pavërtetuara nga vetë ministria.