Aleanca është e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit të vet, nëse do të jetë e nevojshme, tha kancelari gjerman, Olaf Scholz, në një mesazh drejtuar Vladimir Putin.
Ai theksoi se lëvizjet e fundit të NATO-s për të fuqizuar kahun lindor, synonin pikërisht mbrojtjen nga Moska. Duke folur nga Forumi Ekonomik i Gjermanisë Lindore, ku ishte gjithashtu e pranishme kryeministrja lituaneze Ingrida Simonyte, Scholz tha se Gjermania kishte luajtur një rol kyç në praninë e aleancës ushtarake në Baltik, pranë kufijve rusë, që shtrihej në gati një dekadë.
“Dhe duke qenë se kërcënimet nga Rusia do të vazhdojnë, ne dhe aleatët e tjerë vendosëm, vitin e kaluar, të dërgojmë trupa shtesë në shtetet baltike dhe të stacionojmë atje një brigadë të tërë në mënyrë të përhershme.
Kjo kthesë e politikës së sigurisë është e nevojshme për t’i treguar Rusisë se ne jemi të përgatitur të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s, kundër sulmeve”, tha ai.
Sipas tij, diplomacia do të ishte e suksesshme vetëm nga një pozicion force, ndërsa shtoi se ishte jetësore që shtetet baltike të mbështeteshin plotësisht tek aleatët e NATO-s, për mbrojtjen e tyre në rastin e një sulmi rus.
Presidenti Vladimir Putin paralajmëroi, këtë javë, anëtarët e NATO-s, të mos lejojnë Ukrainën të përdorë armët e tyre kundër Rusisë, pasi një sërë shtetesh perëndimore i hoqën kufizimet e vendosura ndaj armatimeve që i ofrojnë Kievit.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, i hodhi poshtë paralajmërimet duke thënë se aleanca i kishte dëgjuar disa herë ato dhe se vetëmbrojta nuk është përshkallëzim. Së fundmi, edhe Holanda siguroi Kievin se avionët 24 F-16 që ka ndërmend t’i dhurojë Ukrainës mund të përdoren për të goditur objektivë brenda Rusisë.