Diskutimi i muajve të fundit në Tiranë është që edhe stadiumi “Selman Stërmasi” do të shembet, ndërkohë që zona rreth stadiumit do të ridimensionohet. Jo pak herë kryetari i bashkisë, z. Veliaj ka deklaruar se stadiumi numër dy i kryeqytetit do të ndryshojë rrënjësisht dhe do të jetë njëlloj si “Air Albania”.

Lajmet kanë qarkulluar gjatë gjithë vitit 2023, por duket se gjërat në 2024-ën do të ndryshojnë. Burimet bëjnë me dije se “Selman Stërmasi” me shumë mundësi do të marrë një udhë për t’u ribërë nga e para. Madje, ky mund të jetë edhe viti që do të shembet stadiumi për t’u ribërë nga e para. Partizani arriti që të ndërtojë shtëpinë e tij dhe në këtë pjesë është kompletuar, por duhet patjetër edhe një zgjidhje për Tiranën dhe shpëtimi është “Selman Stërmasi”.

Në projektin e tri viteve të ardhshme të Bashkisë së Tiranës është edhe rindërtimi i këtij stadiumi, i cili do të rikonceptohet me modelin e “Air Albania”-s, për të sjellë rreth tij edhe shërbime të tjera, si biznese, hoteleri apo edhe ambiente të tjera. Aktualisht askush nuk luan në “Selman Stërmasi” dhe kthimi i këtij stadiumi në një impiant ku të ofrohen komoditetet minimale për një tifoz, do të ishte një frymëmarrje për Tiranën.

SHENJAT – Veç fjalëve të drejtuesve të Tiranës dhe sportit, shenjat janë të shumta për një “Selman Stërmasi” të ri. Kështu, në stadium nuk po bëhet asnjë investim dhe ai është në gjendjen më të rëndë. FSHF ka planifikuar të investojë në fushën e “Skënder Halilit”, por jo në “Selman Stërmasi”. Kjo do të thotë se impianti është drejt fundit të jetës.

SHITJA E AKSIONEVE – Një tjetër lëvizje mund të jetë shitja e aksioneve që bashkia ka në KF Tirana. Janë 34 përqind aksione që mban bashkia që mund të ndryshojnë pronësinë, nëse shiten në ankand. Kjo do të sillte edhe ndryshimin tek aksionerët e KF Tiranës.

PROJEKTI I VJETËR – Vetë klubi Tirana kohë më parë ka pasur një plan. Nëse në “Air Albania” janë 22 mijë vende të ulura, në “Selman Stërmasi” do të jenë 14 mijë vende të ulura. Një stadium, goxha i madh, por jo i vogël që i shtohen 6 mijë vende nga kapaciteti ekzistues. Do të rritet 14 metra nga fusha dhe do të ketë një shikueshmëri perfekte. (Panorama Sport)