Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë me dije se autoritetet serbe i kanë refuzuar vizitën e planifikuar në Luginën e Preshevës.
Përmes një postimi në rrjetin social facebook, Sveçla bën me dije se i ka paraqitur zyrës së ndërlidhjes në Serbi kërkesën me qëllimin e vizitës, por ajo është refuzuar pa asnjë shpjegim zyrtar nga Beogradi.
Sveçla nënvizon se ky akt i Serbisë dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të ndaj shqiptarëve të Luginës.
“Me datë 29 dhjetor kam pranuar ftesë nga z. Nevzad Lutfiu, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar për vizitë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Sipas agjendës, ishin planifikuar takime në selitë e Këshillit në tri komuna si dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi. Me kënaqësi kam pranuar ftesën dhe kam filluar përgatitjet.
Mbrëmë në orët e vona, nga zyrtari ynë ndërlidhës në Beograd jam njoftuar se kërkesa jonë për vizitën e sotme në Luginë është refuzuar nga autoritetet e Serbisë pa asnjë arsye spjegim.
Ky refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës, nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës. Ndër të tjera, nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta.
Për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë, ne do të veprojmë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve tona”, shkruan Sveçla në facebook.