Përjashtimi i Sali Berrishes nga grupi parlamentar i deputetëve, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një tregues se PD po shkëputet nga e kaluara për të ndërtuar të ardhmen e saj, prandaj theksojnë se vendimi i Lulzim Bashës meriton respekt.
Me largimin e Berishës të shpallur nga DASH si minues i demokracisë për SHBA-në, PD bërë atë që bëri 30 vite më parë, ku me guxim, në një moment kritik për vendin, mori vendimin e vështirë për t’u shkëputur nga e kaluara, mirëpo protagonist kësaj herë është Lulzim Basha. Prandaj, SHBA zotohet se tani do të punojë më ngushtë se kurrë me Bashën për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.
“Vendimi i vështirë i shpallur dje nga Kryetari Lulzim Basha meriton respekt. Ky vendim demonstron se, ashtu siç ndodhi 30 vjet më parë dhe në momente të tjera kritike në historinë e Shqipërisë, Partia Demokratike ka kurajon për t’u ndarë nga e shkuara me qëllim që të ndërtojë të ardhmen, për të ndihmuar që ta udhëheqë Shqipërinë përpara. Shtetet e Bashkuara kanë pasur një marrëdhënie të veçantë me Partinë Demokratike që nga themelimi i saj dhe presim me kënaqësi të punojmë më ngushtë se kurrë me Kryetarin Basha dhe Partinë Demokratike për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri”,thuhet në njoftim.
Sot në Kuvend Sali Berisha nuk do të ulet si deputet i PD-së, por i pavarur, pasi ai u përjashtua mbrëmë nga grupi parlamentar demokrat, nga Lulzim Basha, njeriun që “i dhuroi” partinë që themeloi në 1990. Mes Sali Berishës ‘Non Grata’ dhe SHBA, Lulzim Basha zgjodhi këtë të fundit, duke “vrarë babanë e tij shpirtëror”. Këtë vendim ai e argumentoi se është i përkohshëm, deri sa të zbardhet çështja në rrugë ligjore referuar betejës ligjore të nisur nga ish-kryeministri ndaj Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken, me këtë të fundit që e cilësoi si “të korruptuar” dhe e paditi për shpifje.
Për këtë vendim, SAli Berisha ka deklaruar se është njoftuar 30 minuta para se Basha ta bënte publike, megjithëse shtoi se nuk ishte i papërgatitur duke sqaruar se nuk do të qëndrojë duarkryq, por do të shfrytëzojë influencën e tij “për t’i rikthyer sovranitetin PD-së” duke mos përjashtuar mundësinë e marrjes së drejtimit të kësaj force politike.