Zyrtarët amerikanë po bëjnë përpjekje të zgjedhin aleatë, për të zgjeruar luftën globale kundër grupit militant Shteti Islamik (IS), përtej Sirisë dhe Irakut.

Të nxitur nga rritja e IS-it në Libi, si dhe nga sulmet terroriste në Paris, nëntorin e kaluar, zyrtarët amerikanë shohin nevojën e një qasjeje më të gjerë dhe më gjithëpërfshirëse.

“Ata janë duke biseduar në lidhje me këtë”, i ka thënë një zyrtar perëndimor shërbimit qendror të Zërit të Amerikës, në kushte anonimiteti.

Këto diskutime janë bërë më urgjente pasi inteligjenca ka treguar për rritjen e numrit të luftëtarëve të IS-it dhe të rekrutëve që arrijnë në Libi nga Afrika Veriore.

Mësohet se zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë identifikuar Britaninë, Francën, Italinë, Gjermaninë dhe Spanjën si partnerë kyçë në luftën kundër IS-it në Libi.

“Qeveria jonë është jashtëzakonisht e shqetësuar me rritjen e kërcënimit ekstremist në Libi”, ka thënë zyrtari perëndimor, qeveria e të cilit “është duke punuar nga afër” me SHBA-në.

Ai ka shtuar se pavarësisht dëshirës për një qasje më gjithëpërfshirëse, “është ende herët të thuhet se si do të jetë mbështetja”.