Prej disa ditësh po thuhet se anëtari i KLP, Bujar Shehi ka qenë ‘ spiun’  i Sigurimit të Shtetit gjatë periuhës së diktaurës komuniste. Por ai sot ka hedhur poshtë akuzat:

Bujar Sheshi, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë deklaron për Top Channel nuk është e vërtetë që ka qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit. Ai thotë se këtë do ta vërtetojë me dokumente.

Sheshi duhet të ishte verifikuar para se të zgjidhej në KLP nga kryeprokurorja Marku, ndërsa shkresa nga autoriteti i dosjeve ka mbërritur vetëm në 22 janar të këtij viti.

Intervista:

Anila Hoxha: Zoti Sheshi, a është e vërtetë që keni qenë pjese e sigurimit të shtetit?

Bujar Sheshi: Nuk është aspak e vërtetë që unë kam qenë pjesë e sigurimit të shtetit. Unë do të flas kur të marr të gjitha dokumentet, por kjo nuk është e vërtetë, e vërteta do dalë shumë shpejt.

I zgjedhur automatikisht në Këshillin e Lartë të Prokurorisë pasi nuk kishte kandidat përballë për një vend drejt KLP, ky është reagimi i Bujar Sheshit pas akuzave se ai ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të shtetit.

Por siç shprehet një burim i sigurt, edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka kërkuar me urgjencë dokumentacionin përkatës. Ligji shprehet ndalues për kandidatët që pretenduan Këshillin e Lartë të Prokurorisë në rast se ata kanë qenë më herët bashkëpunëtorë apo të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit.

Ky kriter duhet të ishte verifikuar më nëntor 2018 nga Prokuroria e Përgjithshme dhe vetëm pas këtij momenti Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku duhet të thërriste Asamblenë e Përgjithshme të Prokuroreve që zgjodhi “qeverinë” e re.

Në këtë votim kaloi edhe anëtari i KLP, Bujar Sheshi që një ditë më parë u denoncua nga Partia Demokratike. Ajo që kuptohet është se shkresa e autoritetit për informim mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në të cilin përmendet emri i Bujar Sheshit, i është përcjellë prokurores së Përgjithshme, Arta Marku në janar, atëherë kur ndërkohë KLP ishte konstituuar dhe kishte zhvilluar të paktën 3 mbledhje.

Në shkresën e 22 janarit, autoriteti thotë se pas kontrollit rezulton se Bujar Sheshi ka qenë bashkëpunëtor gjatë kohës kur ishte gjimnazist. Por ndërkohë anëtari i KLP pritet ta hedhë poshtë këtë version me alibinë se Bujar Sheshi nuk është i njëjti person me shtetasin e përmendur në dokumente.

Veritas.com.al/